Sondazhi që “shkundi” opozitën, Ramabaja ka një parashikim të mirë për Kurtin: Me votat e mërgatës, LVV do e kalojë këtë përqindje!

Politika

Sondazhi që “shkundi” opozitën, Ramabaja ka një parashikim të mirë për Kurtin: Me votat e mërgatës, LVV do e kalojë këtë përqindje!

Nga: A.M. Më: 6 prill 2024 Në ora: 16:24
Qeveria, Ramush Haradinaj, Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi

Partitë politike kanë nisur të bëhen gati për zgjedhjet parlamentare.

Së fund, u publikua një sondazh i realizuar nga kompania UBO Consulting, ku kishte disa ndryshime në përqindje.

Sipas të dhënave, Lëvizja Vetëvendosje në tre muajt e fundit ka rritje të lehtë me 49.5 për qind. PDK-ja ka rënë pak me 17.1 për qind, ndërsa LDK-ja ka rënie pak më të madhe me 16 për qind, duke u renditur si forca e tretë politike në Kosovë.

Ky sondazh i realizuar mbi zgjedhjet parlamentare i ka përplasur sërish pozitën dhe opozitën.

E në lidhje me këtë sondazh, në një prononcim për “Bota sot” ka folur profesori Sadri Ramabaja.

Së pari, ai tha se politika është një luftë e organizuar për pushtet, derisa potencoi se fokusi i zgjedhjeve është kryesisht te partitë dhe kandidatët e tyre kryesorë.

Krahas kësaj, vlerësoi se qytetarët e Kosovës kanë maturim politik të duhur.

Image
Sadri Ramabaja.

“Politika është luftë e organizuar për pushtet. Në demokracitë liberale kjo luftë e organizuar ushtrohet përmes organizatave politike – partive politike. Ato janë ndërmjetës midis popullatës dhe shtetit, bartës të vullnetit politik të qytetarëve. Në Kosovë, fokusi i zgjedhjeve është kryesisht te partitë dhe kandidatët e tyre kryesorë.

Zgjedhjet legjitimojnë sundimin politik, kontrollojnë ata që janë në pushtet dhe garantojnë që politikanët të mbeten politikisht përgjegjës ndaj atyre që i kanë qeverisur gjatë mandadit sa ishin në pushtet. Në ditën e zgjedhjeve, votuesit në shtetet kushtetuese demokratike vendosin për shpërndarjen e ardhshme të pushtetit, respektivisht ia vazhdojnë pushtetin forcës që është në pushtet, nëse ajo ka qeverisur më mirë se pararendëset. Në këtë rast mund të thuhet se qytetarët kanë maturim politik të duhur”, deklaroi profesori.

Po ashtu, Ramabaja nënvizoi se sondazhi i fundit është një pasqyrë e mirë, ku reflektohet përgjigja që qytetarët ia kanë dhënë arrogancës dhe injorancës.

Megjithatë, ai foli edhe për mungesën e mërgatës në këtë sondazh, ku tha se në rast të përfshirjes së saj, LVV do kalonte 60 për qindëshin.

“Sondazhi i fundit i bërë nga UBO Consulting është pasqyra e mirë, reale e maturimit politik të shoqërisë sonë. Aty reflektohet përgjigjia e duhur që qytetarët i kanë dhënë arrogancës dhe injorancës së amplifikuar. 

Rezultatit të sondazhit i mungon zëri i mërgatës, që është edhe më i shlirë dhe më i pavarur nga vargonjtë e ish pushteteve, sidomos atyre lokale, ku dominon opozita. Po të ishte reflektuar edhe ai vullnet, VV do të kalonte 60 përqindëshin.

Duket qartë se strategjia e përzgjedhur e opozitës për ta luftuar pushtetin, ka dështuar plotësisht; asaj nuk i ka ndihmuar fare as kakofonia në parlament e në debatet televizive, por as lufta speciale e zhvilluar përmes mediave në zotërim të manjatëve dhe olhokratëve”.

Ndër të tjera, shtoi se sondazhi i UBO Consulting tregon rendësinë kruciale të zgjedhjeve dhe ndikimin e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2024.

“Ky sondazh dhe të tjerët para tij, e konfirmojnë faktin se zgjedhjet e 14 shkurtit të 2021-ës në realitet ishin në formë dhe përmbajtje shprehje e revolucionit demokratik të heshtur, i aplikuar në mënyrën dhe vendin e duhur – në vendvotim alias në kutitë e votimit. 

Qytetarët e Kosovës tashmë e kanë kuptuar rëndësinë kruciale të zgjedhjeve. Shih për këtë, ata i shfrytëzojnë ato si një platformë reale, si bazë e mirë ku mund ta artikuluar vullnetin e tyre politik dhe qëndrimin kritik pikërisht përmes votës. Këtë po e bëjnë edhe me pjesëmarrjen aktive në sondazhet e institucioneve kredibile, siç është UBO Consulting e ndonjë organizatë tjetër”, përfundoi Sadri Ramabaja për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat