Sondazhi i fundit ‘tronditi’ opozitën, vjen parashikimi i mirë për Kurtin e LVV-në – ja “lajmi i keq” për AAK-në

Politika

Sondazhi i fundit ‘tronditi’ opozitën, vjen parashikimi i mirë për Kurtin e LVV-në – ja “lajmi i keq” për AAK-në

Arife Morina Nga Arife Morina Më 8 prill 2024 Në ora: 12:03
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Tash e një kohë, opozita dhe pozita janë duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërkohë qeveria Kurti tashmë ka hyrë në vitin e katërt të qeverisjes.

Partitë politike kanë nisur të bëhen gati për zgjedhjet parlamentare, derisa kanë filluar edhe t’i zyrtarizojnë kandidatët e tyre për kryeministra.

E në vazhdën e këtyre zhvillimeve, së fundi, u publikua një sondazh i realizuar nga kompania UBO Consulting, ku kishte disa ndryshime në përqindje.

Sipas të dhënave, Lëvizja Vetëvendosje në tre muajt e fundit ka rritje të lehtë me 49.5 për qind. PDK-ja ka rënë pak me 17.1 për qind, ndërsa LDK-ja ka rënie pak më të madhe me 16 për qind, duke u renditur si forca e tretë politike në Kosovë.

Ky sondazh i realizuar mbi zgjedhjet parlamentare i ka përplasur sërish pozitën dhe opozitën.

Madje, ky sondazh po cilësohet kredibil, mirëpo mungesë po cilësohet mos përfshirja e mërgatës, ku po ka parashikime se LVV mund të arrijë mbi 60 për qind të votave.

Rezultatet e fundit, si duket ua kanë prishur “matematikat” e partive opozitare.

Mehazi: Sikur edhe të bashkoheshin gjatë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, PDK-ja me LDK-ja kurrsesi nuk do mund të merrnin mbi 50%

E në lidhje me këtë sondazh për gazetën “Bota sot” foli profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi.

Image
Sulejman Mehazi

Fillimisht, ai u shpreh se rezultatet e sondazhit të fundit nuk janë të sakta, pasi dihet se LVV do fitojë sërish, por me më shumë se 49.05 për qind.

Krahas kësaj, parashikoi edhe ‘zhdukjen’ e AAK-së.

“Sondazhi nga "UBO Consulting" është i saktë në fitoren e LVV-së kjo dihet, por nuk është i saktë me përqindjen, se LVV-ja me partinë e Vjosa Osmanit, Guxo, gjatë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare jo që do marrin më shumë deputetë sesa 49.05 përqind të votave, por disa prej partive opozitare nuk do ekzistojnë si shembull e marrim partinë e AAK-së së Haradinajt”, deklaroi profesori.

Po ashtu, Mehazi potencoi se sondazhi i ka frikësuar tej mase partitë opozitare.

“49.05 përqindja e sondazhit nga UBO Consulting, jo që i ka frikësuar e dëshpëruar partitë opozitare të Kosovës, kjo përqindje e sondazhit ju ka dhënë kurajë partive opozitare se do mund të ekzistojnë dhe gjatë katër viteve të ardhshme”.

Ndër të tjera, profesori shtoi se edhe nëse partitë opozitare bëhen bashkë, nuk do ta mposhtin LVV, pasi kjo e fundit bashkë me Listën Guxo do marrë 60 për qind të votave.

“Sikur edhe të bashkoheshin tog gjatë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, PDK-ja me LDK-ja kurrsesi nuk do mund të merrnin mbi 50% të sondazhit të bërë nga "UBO Consulting," pra sondazhit 49, 05 % të LVV-së ju jep kurajë partive opozitare për t'u bashkuar dhe se tog do ta mposhtin LVV-në me mbi 50% të votave, por jemi të sigurt se përqindja e partisë në pushtet LVV-ja së bashku me partinë Guxo do marrin mbi 60% të votave totale”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Mehmeti: Opozita janë të tronditur nga realiteti dhe fakti se edhe për katër vitë të tjera do mbesin aty ku janë

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti potencoi se sondazhi i UBO Consulting ka ‘tronditur’ opozitën, derisa tha se nuk e duron faktin që të mbesë pa pushtet edhe për katër vite.

“Sondazhi i fundit nga UBO dhe të tjerët para tij janë dëshmi e fortë për katandisjen e opozitës përballë qeverisë, në këtë rast VV. Pavarësisht se nuk e shprehin, opozita janë të tronditur nga realiteti dhe fakti se edhe për katër vite të tjera do mbesin aty ku janë”.

Krahas kësaj, ai potencoi se partitë opozitare nuk i dëshirojnë zgjedhjet, vetëm paraqite si të tilla.

“Opozita nuk i do zgjedhjet, edhe pse e thotë, e di se çfarë e pret, derisa VV përsëri e vetme do qeverisë, uroj që opozita të kuptojë nevojën për reforma, ndryshe kjo gjendje do të vazhdojë gjatë.

Besoj, për ta ngushëlluar veten do postojë sondazhe fake, por realiteti është i pandryshuar”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat