Nëse SHBA “zhvendos” vëmendjen te konflikti Iran-Izrael, a rrezikon Kosova të mbetet pa përkrahje?

Politika

Nëse SHBA “zhvendos” vëmendjen te konflikti Iran-Izrael, a rrezikon Kosova të mbetet pa përkrahje?

Nga: H.O. Më: 16 prill 2024 Në ora: 08:33
Foto ilustrim

Konfrontimet e para Izrael-Iran tashmë veq se kanë filluar. E gjithë bota është orientuar tek vazhdimësia e këtij konflikti që ka nisur prej tre ditësh.

Në këtë kohë kur aktualisht janë të ‘hapura’ edhe dy luftra të tjera, Ukrainë-Rusi dhe Izrael-Palestinë, një luftë e tretë rrezikon të shkaktoj më shumë tension.

Kësisoj, a mund të ndodhë që në konfliktin Iran-Izrael, vëmendja e SHBA-së të fokusohet aty, edhe në këtë mënyrë Kosova të rrezikohet nga Serbia e të mos ketë vëmendjen e duhur nga shteti mik, SHBA?

Lidhur me këtë ҫështje, për “Bota sot”, ka folur publicisti dhe njohësi i ҫështjeve politike, Gani Qarri.

Ai thotë se në fakt sulmi i pashembullt i Iranit me mëse 300 dronë dhe raketa, natën e 14 prillit mbi Izraelin, përveçse u ndërmor, siç u tha, në shenjë hakmarrje për sulmet izraelite të 1 prillit, në konsullatën iraniane në Damask të Sirisë, ku aeroplanët izraelit, vranë shtatë komandantë të lartë ushtarak, përfshi edhe dy gjeneralë të gardës iraniane, qeveria islamike, pretendoi ta shfaq gjoja edhe fuqinë ushtarake që posedon, por që në fakt dështoi rëndë, përkundër përdorimit të gjithë atyre dronëve dhe raketave, të cilat pothuajse të gjitha u asgjësuan nga mbrojtja kundërajrore e Izraelit e miqve të tij, para se të arrinin cakun, dhe u shndërrua në një sulm të vakët, e pothuajse pa pasoja për Izraelin.

Image
Gani Qarri.

“Megjithatë ky sulm i papritur me përmasat që nisi, përhapi frikën për zgjerimin e luftimeve dhe përfshirjen e disa vendeve arabe në një konflikt më të gjerë të Lindjes së Mesme, por vet dështimi i sulmit, përveçse shpërfaqi dobësitë e organizimit ushtarak, kufizimet e theksuara teknike në krahasim me Izraelin dhe përmasat e izolimit të këtij vendi islamik edhe nga vet vendet arabe, Irani edhe në deklarimet publike, dëshmoi, se nuk ishte i gatshëm të niste një luftë të tërësishme me Izraelin, nga frika se në te, mund të përfshiheshin edhe SHBA, akt që do ta shkurtonte në pak dit apo javë edhe vet mbijetesën e regjimit islamik të imamëve iranianë”, vlerëson ai.

Publicisti Qarri thotë se sa i takon ndërlidhjes së konfliktit Izraelito-Iranian, me përqendrimin e SHBA-ve në këtë konflikt dhe tërheqjen eventuale të vëmendjes së SHBA-ve për kujdes të mjaftueshëm ndaj Kosovës, në mënyrë që vendi ynë, të mos rrezikohet nga ndonjë agresion okupues i Serbisë, kjo mund të vinte në shprehje, vetëm nëse trupat e NATO-s, do të detyroheshin të tërhiqen nga Kosova, përndryshe SHBA dhe NATO, kanë kapacitete të mjaftueshme, për ta disiplinuar një shtet minor si Serbia, në krahasim me aleancën më të madhe dhe më të fuqishme në botë, siç është NATO.

“Kosova, në fakt më tepër se nga lufta, është duke u rrezikuar nga diplomat të dyshimtë, apo ndoshta edhe të shitur euro-amerikan, te Serbia, si emisari latino-amerikan Gabriel Eskobar dhe ndërmjetësi sllovak i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të cilët gjatë gjithë kohës mbështetën publikisht Vuçiqin dhe i mbanin hapur, anën Serbisë hegjemoniste, ani pse Serbia edhe pas dakordimit të shprehur, përveçse nuk pranoi ta nënshkruante Marrëveshjen e Brukselit as Aneksin e Ohrit, ajo edhe me një letër zyrtare, dërguar nga ish kryeministrja Brnabiq, dhjetorin e vitit të kaluar, BE-së, në Bruksel, deklaronte se nuk e pranonte marrëveshjen e Brukselit”, thekson ai.

Ai thotë ndër të tjera se ‘sikur mos të mjaftonin gjithë shantazhet e lartcekura të Serbisë hegjemoniste, Eskobar dhe Lajçak, në vijimësi i bënë presion të pareshtur Kosovës, që të formojë "zajednicën" një etnike serbe, duke e quajtur si detyrim, madje edhe të një marrëveshje, që askush më nuk e di saktë, se vlen, apo nuk vlen akoma, akte të habitshme këto, të cilat, para pak kohësh, detyruan të prononcohej edhe vet gjenerali Wesli Klark, i cili deklaroi botërisht, se është shumë e padrejtë, që sot, të bëhet më shumë trysni ndaj Kosovës sesa ndaj Serbisë, kur dihet se Serbia është-problemi vet’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat