Formimi i ushtrisë, skenarët e njohur dhe ato të panjohur

Politika

Formimi i ushtrisë, skenarët e njohur dhe ato të panjohur

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 2 maj 2017 Në ora: 08:47
FSK

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka kohë që përmendet, por së fundmi ajo ka qenë aktuale më shumë se asnjëherë.  Kjo, pasi presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi e bëri projektligjin për transformim, i cili nuk u mirëprit dhe më pas ai tha se ushtria do të bëhet në bazë të ndryshimeve kushtetuese.  Kundër transformimit të ushtrisë vazhdimisht ka qenë kundër Lista Serbe madje ka pasur edhe deklarime të tilla që transformimi i FSK-së në ushtri të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë në Bruksel. 

Image
Sadri Ferati

Për këtë, ministria për dialog Edita Tahiri ka deklaruar në media se kjo gjë nuk do të ndodhë kurrë, pasi kjo është çështje e Kosovës dhe jo pjesë e dialogut. Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sadri Ferati, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë, se nuk dihet nëse ushtria do të jetë pjesë e dialogut, por që dihet kundërshtimi nga Lista Srpska për transformimin e ushtrisë. 

“Nuk dua të parashikoj si do të rrjedhin prapaskenat. Ajo që dihet është se deputetët e Listës serbe, së paku 4-5 prej tyre duhet të bashkëpunojnë me votën e tyre për të ndodhur transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe ne besojmë se duhet të ndodhë dhe është çështja më e mirë ngase duhet të dihet se Kosova po funksionon pavarësisht mosnjohjes së Kosovës nga ana e Serbisë, por duhet të ndodh pasi është shumë e rëndësishme përveç për shtetin e Kosovës, për të krijuar siguri për qytetarët e Kosovës, duke kontribuar edhe në stabilitetin rajonal”, ka deklaruar ai. 

Tutje, Ferati ka thënë se i mbetet Beogradit që të pajtohet direkt apo tu japë sinjale deputetëve serbë për tu pajtuar për ushtrinë, pasi ajo do të bëhet gjithsesi.  “Pavarësisht nga roli se, a do të jetë apo nuk do të jetë në atë nivel dialogu apo do të ketë ndërmjetësues apo duhet Beogradi të pajtohet direkt apo tu japë sinjal deputetëve serbë, por,  unë besoj që duhet të kenë qasje më konstruktive lista serbe dhe duhet të përkrahë këto ndryshime. Përndryshe, duhet të gjenden forma tjera por ushtria e Kosovës duhet bërë dhe Kosova duhet ta ketë ushtrinë”, është shprehur deputeti i LDK-së.

PDK: Kosova nuk do ta bëjë ushtrinë pjesë të dialogut

Image
Bislim Zogaj

Se asnjë qeveri nuk do të pajtohej që transformimi i ushtrisë të jetë pjesë e dialogut në Bruksel mendon deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bislim Zogaj.  “Mendoj, se Serbia çdoherë do të provojë të bëjë gjithçka që çdo çështje ta bëjë pjesë të bisedimeve në Bruksel por shteti i Kosovës, e në veçanti Partia Demokratike e Kosovës nuk do të lejojë që të ketë bisedime rreth ushtrisë në Bruksel. Jo vetëm PDK-ja, por çfarëdo qeverie që do të jetë nuk do të pranojë që çështja e ushtrisë të jetë pjesë e dialogut në Bruksel sepse ajo është çështje e brendshme e Kosovës dhe jo e bisedimeve me Serbinë”, ka deklaruar deputeti Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, deputetja nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë,  se Serbia çdoherë do të mundohet që çdo çështje të Kosovës ta bëjë pjesë të dialogut, por një gjë e tillë nuk do të lejohet. “Dihet se cilat janë kërkesat e Serbisë. Ata punojnë çdo ditë pa ndalur me politika që kurrë nuk do të jetësohen në Kosovë, fatkeqësisht por edhe përgjegjësit e vendit që nuk janë në vendin e duhur dhe nuk janë të përgjegjshëm, mund të ju japin hapësirë për të diskutuar çështje madhore siç është ushtria.

Image
Teuta Haxhiu

Nuk dua të besoj që ndonjëherë dikush do të tentonte që kjo çështje e ushtrisë së Kosovës, të tentohet të dërgohet në bisedime, mirëpo megjithatë politikat e Serbisë janë për të kërkuar shumë dhe për të marrë diçka, pra fokusin e kanë kudo edhe së fundmi me ligjin e arsimit të lartë edhe me shumë çështje tjera që këta tentojnë tash pasi që vendimi i gjykatës kushtetuese e ka treguar me 23 dhjetor 2015 që Asociacioni siç ka qenë bie ndesh me kushtetutën e vendit.

Pas kësaj ata tentojnë që çështje të caktuara t’i ngrisin në nivelin e bisedimeve për shkak se gjykata  ju ka treguar se ai Asociacion nuk do të bëhet ashtu siç është nënshkruar nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa”, ka deklaruar Haxhiu. Tutje, deputetja e AAK-së thotë,  se ushtria do të bëhet por sipas saj jo me qeverinë aktuale dhe presidentin Thaçi, i cili sipas Haxhiut nuk arriti ta formojë atë. 

“Ata kanë kërkuar diçka tjetër, që jo që nuk duhet të lejohet por që dikush të mendojë të flasë, njerëzit që janë kompetent, institucionet, për ta lejuar një gjë të tillë, për tu bërë bisedime, të jetë temë e bisedimeve në çfarëdo niveli qoftë. Por, ushtria do të bëhet, mirëpo në këtë legjislaturë janë vetëm fjalët boshe të Hashim Thaçit i cili nuk e bëri ushtrinë me ligj dhe tani në legjislaturën ushtria e Kosovës do ta ketë ligjin e vet dhe do të përfundojnë edhe politikat jo në interes të vendit që kanë ardhur deri sot nga këta udhëheqës të vendit”, ka përfunduar ajo.

VV kundër bisedimeve për Ushtrinë

Në anën tjetër, edhe partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje është kundër përfshirjes në bisedime të çështjes së transformimit të FSK-së në ushtri. Zëdhënësi i VV-së, Shkodran Hoti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë,  se Serbia po pamundëson projekte madhore për vendin dhe në rastin e ushtrisë po e bën përmes Listës Srpska, andaj sipas tij dialogu me Serbinë duhet të ndërpritet.

Image
Shkodran Hoti

“Është jashtëzakonisht naive të besosh se Serbia nuk do që të ndërhyjë në çdo çështje të brendshme të Kosovës, dhe atë në dy drejtime: në njërën anë të realizojë interesat e saj shoviniste përmes projekteve të ndryshme brenda Kosovës dhe në anën tjetër duke pamundësuar projektet që janë në interes të shtetit tonë. Kur flasim për dialogun me Serbinë, para se të flasim mbi temat, duhet thënë qysh në fillim se ky dialog duhet të ndërpritet dhe se vazhdimi i tij do të thotë çdo herë e më pak shtetësi.

Nuk mund të dialogojmë me Serbinë përderisa ajo i mbanë qëndrimet e njëjta karshi nesh dhe nga çdo raund negociatash Kosova del me një kompromis më të dëmshëm se ai paraprak. Në lidhje me ushtrinë, është e qartë se Serbia po e bllokon ushtrinë tashmë, dhe ketë po e bën me degëzimin e saj në Kosovë, pra me Listën Srpska. Ajo mund të kërkojë që ushtria edhe të jetë temë e dialogut, në mënyrë që të arrihen kompromise tjera që i shkojnë për shtati asaj dhe e minimizojnë shtetësinë e Kosovës”, ka deklaruar Hoti.  Më tej, ai thotë se qeveria është dorëzuar ndaj Beogradit dhe se nuk duhet t’i lë në dorë Serbisë çështje të tilla, por që Kosovës i duhet një Qeveri e re.  “Është antishtetërore dhe antikombëtare e jodemokratike që Kosova, çështjet e saj dhe që prekin popullin e saj t'i lë në duart e dikujt tjetër, e sidomos Serbisë e cila e lufton çdo ditë Republikën e Kosovës. Është fatkeqësi që qeveria jonë është dorëzuar karshi Beogradit, dhe prandaj, Kosova si pikë e parë ka nevojë të mos e ketë qeveri. Kosovës i duhet një qeveri që mundëson sovranizimin e plotë të saj, që e ruan integritetin e saj, që angazhohet për zhvillimin e saj dhe për barazi të të gjithë qytetarëve brenda saj, dhe për një Kosovë që ka marrëdhënia serioze e të shëndosha me fqinjët dhe shtetet tjera”, është shprehur zëdhënësi i VV-së për “Bota sot”.

Analistët: Jo bisedimeve për  Ushtrinë

Image
Ramush Tahiri

Edhe analistët janë kundër çdo tentimi të bërjes pjesë të dialogut çështjen e themelimit të ushtrisë.  Politologu Ramush Tahiri mendon se me Serbinë nuk duhet të bisedohet për asnjë çështje, sidomos për ushtrinë, që është çështje e brendshme e Kosovës dhe popullit të saj, duke shtuar se të dyja shtete janë pajtur për diskutimin e tema që kanë interes të përbashkët.  “Ushtria është çështje e brendshme e secilit, në këtë rast e Kosovës. Ushtria është çështje e qytetarëve të Republikës se Kosovës dhe institucioneve të Kosovës.

Me Serbinë nuk duhet të bisedohet asnjë çështje e brendshme e Kosovës, sepse është larguar nga Kosova dhe nuk ka mandat për asnjë çështje në Kosovë. Me Serbinë institucionet e Kosovës janë pajtuar që të bisedojnë për çështje që janë në interes të përbashkët dhe që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve. Ushtria nuk ka të bëjë me marrëdhënie ndërmjet dy shteteve, ushtria është çështje e Kosovës, e popullit të saj, dhe e bashkëpunimit me NATO-n sepse ne synojmë të anëtarësohemi në të”, ka deklaruar Tahiri.

Image
Hasan Zeneli

 

Ndërsa, eksperti i sigurisë Hasan Zeneli, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka deklaruar se formimi i ushtrisë së Kosovë do ta përdhoste aspiratën e Serbisë për tu kthyer në Kosovë. “Serbia me çdo kushte po mundohet që në embrion ta pengojë formimin e Ushtrisë së Kosovës. As si pjesë të dialogut dhe as në mënyrë të njëanshme, nëse do të formohej ushtria, Serbia nuk do te pajtohej kurrë! Formimi i ushtrisë së Kosovës, madje edhe në mënyrë simbolike, do ta përdhoste aspiratën serbe për t'u kthyer ne Kosove”, ka deklaruar Zeneli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat