Eurodeputetja ‘turpëron’ presidentin Thaçin për vizat

Politika

Eurodeputetja ‘turpëron’ presidentin Thaçin për vizat

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 9 maj 2017 Në ora: 09:38
Hashim Thaçi dhe Tanja Fajon

Eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, ditë më parë ka deklaruar se Qeveria e ish-kryeministrit Hashim Thaçi, ishte pajtuar që Demarkacioni të ishte kusht për liberalizimin e vizave.

Ajo ka thënë se nëse tash ka mospajtim në Kosovë rreth këtij kushti, atëherë politikanët duhet të gjejnë alternativë.

“Dua të vë në dukje që ky kriter për heqjen e regjimit të vizave u vu nga Komisioni Evropian dhe për këtë Qeveria Thaçi ra dakord”, ka thënë Fajon. “Nëse ka diçka që nuk mund të pranohet tani, që nuk mund të zbatohet tani, atëherë Parlamenti dhe politikanët e Kosovës duhet të propozojnë alternativa. Dëshiroj t’i inkurajoj ta bëjnë këtë”, ka deklaruar Fajon.

Presidenca ‘shfajësohet’: Kushtin e Demarkacionit e vendosi KE

Por, lidhur me këtë çështje, tashmë presidenti Thaçi nuk ndihet fajtor. Artan Behrami, këshilltari politik i Presidentit, ka thënë se kushtin e Demarkacionit e ka vendosur Komisioni Evropian në kuadër të kritereve për Kosovën.

Image
Artan Behrami

“95 kriterët nga "Roadmap" për Kosovën,  kanë qenë të panegociueshme siç kanë qenë të panegociueshme kriteret që Komisioni Evropian ka vendosur për shtetet tjera të Ballkanit “, ka thënë Behrami për gazetën “Bota sot”.

Madje, Behrami ka shtuar se është keqkuptuar deklarata e Fajon, pasi sipas tij, ajo nuk ka thënë “në asnjë vend dhe në asnjë rast se ka qenë Qeveria Thaçi që ka kërkuar që Demarkacioni të shtohet si kusht për liberalizimin e vizave”.

Por, ndryshe janë shprehur analistët e çështjeve politike në vend, të cilat kanë thënë se fajtor për mosliberalizimin, është vet presidenti i vendit Hashim Thaçi.

Shahu: Thaçi ia shiti dështimet e tij Mustafës

Duke komentuar deklaratën e eurodeputetes Fajon, analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë se Thaçi si ish-kryeministër nga deklarimet e saj, del lakuriq.

Image
Rexhep Shahu

Por, siç ka theksuar ai, presidenti nuk e ka dert për këtë dhe për asgjë, meqë sipas tij, qëllimi i Thaçit ka qenë qëndrimi në pushtet dhe shitja e dështimeve të tij Mustafës.

“Qëllimi i tij ka qenë të rrijë në pushtet, ta ketë mirë përmes çdo premtimi me ndërkombëtarët, pra për Thaçin, qëllimi justifikon mjetin. Përballja sot me të vërtetën e shprehur nga Fajon nuk e bën me turp Thaçin, sepse thashë për të, qëllimi justifikon mjetin. Thaçi ka ditur t’ia shes të gjitha dështimet Isa Mustafës”, është shprehur analisti Shahu për “Bota sot”.

“Deklarata e Fajon, do të duhej ta lëkundte në themel PDK-në”

Edhe sipas politologut Faton Mehmeti, me deklaratën e eurodeputetes Tanja Fajon, po dalin në pah të gjitha lëshimet që janë bërë nga Qeveria Thaçi.

“Karshi Malit të Zi, do të dalin edhe shumë të tjera që ia ka bërë Serbisë gjatë bisedimeve në Bruksel. Deklarata e eurodeputetes Fajon se Thaçi është pajtuar për Demarkacionin me Malin e Zi, është skandal i llojit të vet, mirëpo duke qenë se ai s’ka as moral politik dhe as llogaridhënie ndaj shtetit për veprime antishtetërore, këto deklarata s’do ta dëmtojnë edhe aq shumë PDK-në, edhe pse do të duhej ta lëkundnin në themel”, ka thënë Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Ai gjithashtu ka theksuar në një prononcim për “Bota sot” se lëshimi i postit të kryeministrit LDK-së, “ka qenë me hile, duke ditur skandalet e shumta që i kanë bërë”.

“Vlerësoj se edhe LDK nuk shet pa mëkat, bëri kauzë kundër PDK-së, duke i cilësuar edhe si vrasës dhe bëri koalicion me ta, dhe në vend se të bënte thirrje për unifikim dhe dialog të hapur në skenën politike, Isa injoroi opozitën për ta trashur edhe më shumë kundërshtimin e tyre dhe të sjellë ndoshta edhe rënien e Qeverisë”, është shprehur tutje politologu Mehmeti, derisa ka theksuar se Thaçi ka bërë lëshime të mëdha në Bruksel.

“Thaçi ka lozur siç ka dashur, dëmtoi vendin me lëshime në Bruksel si dhe dogji LDK-në si alternativë qeverisëse. Prandaj, nuk është çudi që në zgjedhjet e ardhshme, prapë PDK të dal partia e parë, edhe pse me veprimet e saj, kjo parti do të ishte rrënuar përgjithmonë dhe personat përgjegjës do të ishin në burg”, ka përfunduar Faton Mehmeti.

Hertica: Vizat, peng i politikanëve

Ndërsa analisti Ali Hertica, ka thënë se ajo që thotë Tanja Fajon për presidentin Thaçi është e vërtetë.

“Është e pakuptimtë nga një strukturë e cila bëri luftë për ta larguar armikun shekullor dhe tani kur është çështja madhore e problemeve të Kosovës, të jenë faktorë për ta degraduar shtetin. Kjo nuk do shumë koment për shoqërinë e Kosovës. Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Tanja Fajon, e cila ishte e ngarkuar për ta udhëhequr atë Komision në emër të BE-së, del the thotë të vërtetën se presidenti Thaçi, ishte pajtuar për Demarkacionin, me të cilin janë cënuar kufijtë e shtetit. Ky është një llapsus që nuk duhet falur kurrë”,  është shprehur Hertica.

Image
Ali Hertica

Gjithashtu, ai ka theksuar se Thaçi dhe ish-ministrja për Integrim Vlora Qitaku, e kanë pranuar si shtesë pyetësorin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Nga gjithë kjo del se vet politikbërësit shqiptar të Kosovës, nuk kanë ditur fare të jenë të kujdessëm në vendimmarrjen kur është çështja e shtetit. Tani qytetari cenohet tmerrësisht nga analfabetet e politikës sonë. E gjithë kjo amulli, është peng i vet politikanëve”, ka përfunduar analisti Hertica për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat