Cila është mënyra më e lehtë për formimin e Ushtrisë?

Politika

Cila është mënyra më e lehtë për formimin e Ushtrisë?

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 31 tetor 2017 Në ora: 09:15
Pjesëtar i FSK-së

Partitë opozitare LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje votën e tyre do ta japin pro miratimit të Projektligjit për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK), nëse ai procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Por, ato thonë se problemi kryesor për këtë çështje mbetet tek subjekti politik, Lista Serbe, i cili udhëhiqet drejtpërdrejt nga Beogradi dhe që ka fuqi bllokuese sa i përket miratimit të ndryshimeve kushtetuese lidhur me këtë projektligj.

Nga ana tjetër, ditë më parë vet presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në një deklaratë për media ka thënë se subjekti politik që kontrollohet nga ai, Lista Serbe do të largohet nga Qeveria e Kosovës, në mënyrë që të pamundësoj formimin e ushtrisë së Kosovës.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetes së LDK-së, Vjosa Osmani ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

“Forcat e Armatosura të Kosovës do të bëhen pavarësisht asaj se çfarë mendon Vuçiq”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se Vuçiq nuk ka aspak të drejtë të përzihet në çështjet politike të Kosovës.

Kurteshi: Lista Serbe mbetet ujku për Kosovën

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi thotë se miratimi i projektligjit është shumë i rëndësishëm për Kosovën.

“Kur të bëhet projektligji për FSK-në, ne do të shohim si vjen edhe si do t’ia bëjmë, Por, vota e jonë do të jetë pro formimit të ushtrisë së Kosovës”, tha për “Bota sot”, deputeti i Vetëvendosjes Sami Kurteshi.

Image
Sami Kurteshi

Por, sipas tij problemi kryesor me shtetësinë e Kosovës mbetet Lista Serbe.

“Lista Serbe ka për të bllokuar çdo vendim që ka të bëj me shtetësinë e Kosovës. Kështu që FSK-ja është njëri prej elementeve që kanë për të bllokuar ata. Kështu gjithçka ë rëndësishëm për Kosovën si shtet Lista Serbe ka për të bllokuar”, tha ai.

Ai thotë se ky subjekt politik do të veprojë çfarë do që i konvenon Beogradit.

“Nëse atyre iu thotë Beogradi, jo ata thonë jo. Nëse Beogradi nuk e pranon Kosovën, ata nuk e pranojnë. Nuk është e rëndësishme se a mund të formohet ushtria me kushtetutë apo me ligj”, tha më tej Kurteshi.

Kritikohet presidenti Thaçi për FAK-un

Deputet dhe ekspert të sigurisë janë shprehur kritik edhe ndaj presidentit Thaçi, pasi që sipas tyre, i pari shtetit shumë herë e ka ngritur çështjen e ushtrisë për përfitime personale.

 “Ne e kemi një president që e quan vetën president i Kosovës që është, mashtrues ordiner edhe që e ka bishtin e zënë me derë. Ai i ngritë disa çështje që i nevojiten dhe si të kalojnë faza zgjedhore ai i harron këto punë dhe merret me çështje tjera. Pra, ai merret me probleme personale që i ka. Po ashtu, çështjet shtetërore që i ka i personalizon”, shtoi Kurteshi.

Image
Fadil Kajtazi

Edhe eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi, thotë se Thaçi e ka përdorur ushtrinë për përfitime elektorale.

“Të gjitha lojërat politike që bëhen në emër të ligjit për ushtrinë, kanë karakter meskin, atë të interesave të ngushta. Është hera e dytë që Thaçi njëherë si kryeministër dhe tani si president e çoi vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme duke përdorur mes tjerash alibi edhe ushtrinë”, tha Kajtazi.

FAK mund të bëhet vetëm me ndryshimin e ligjit

Nga ana tjetër, eksperti juridik Adrian Gjoshi, thotë se mënyrë më e lehtë për formimin e ushtrisë mbetet përmes ndryshimit të ligjit, pa u futur në ndryshime kushtetuese.

“Në fakt, propozimi për ta krijuar ushtrinë përmes ligjit, është rrugë e lehtë dhe nuk kërkon shumicë të pakicës (shumicë të Badinterit), e cila do të mund ta bllokonte ushtrinë. Me fjalë tjera, nuk kërkon që minoritetet të kenë një votim të dytë dhe ekskluziv pasi që Kuvendi i Kosovës të votojë si tërësi”, thotë Gjoshi për “Bota sot”.

Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, Gjoshi e sheh këtë si shumë të vështirë, duke e pasur parasysh Listën Serbe.

Image
Adrian Gjoshi

“Në bazë të nenit 80 të kushtetutës, Kuvendi i Kosovës miraton ligje të natyrave të ndryshme përmes shumicës së deputetëve që janë të pranishëm dhe që votojnë. Edhe pse sipas kushtetutës, çështja e shndërrimit të FSK-së në ushtri nuk mund të konsiderohet si çështje vitale që do të kërkonte shumicë të pakicës, faktikisht, kjo nismë do të mund të haste në kundërshtime të ashpra nga pakicat serbe dhe faktori ndërkombëtar. Serbia kundërshton sepse kundërshton forcimin dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Kurse faktori ndërkombëtar kundërshton sepse dëshiron që krijimi i ushtrisë të arrihet përmes një konsensusi të gjerë”, shtoi Goshi.

Kajtazi: NATO vendimtar në formimin e FAK-ut

Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi thotë se faktor vendimtar në formimin e ushtrisë mbeten strukturat e NATO-së.

“Nuk është i mjaftueshëm unifikimi i subjekteve politike të shqiptarëve të përfaqësuara në kuvend për të aprovuar Projektligjin për themelimin e ushtrisë. Qenësore në procesin e shndërrimit të FSK- së në ushtri është mendimi i strukturave NATO-s. Natyrisht se këta janë organizata më e specializuar në botë për këtë çështje dhe ushtrinë e konsiderojnë si strukture serioze, pasi ajo ka kapacitete të përdorimit të forcës në shkallë të gjerë, gjë që mund të përdoret apo të keqpërdoret për qëllime të mbrapshta politike”, tha për “Bota sot”, eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi.

Sipas tij, aprovimi i njëanshëm i ligjit për ushtrinë pa miratimin e NATO-s, edhe me kushtin që e voton Lista Serbe, është i pa efektshëm.

“Kjo për faktin se NATO apo shtetet që e përbejnë atë, formimin e ushtrisë e masin me parametra të tjerë ku se pari është kapaciteti i kontrollit demokratik, i cili është ende i pa mjaftueshëm dhe duke u krijuar gradualisht, së dyti, profesionalizmi, gjë që është duke u krijuar gradualisht; në FSK, aktualisht oficeret me akademi të përfunduar kanë arritur deri në nivelin e gradës major ose nënkolonel”, tha më tej ai.

“Sa i përket Listës Serbe, pak është e rëndësishme se a e voton apo jo ligjin për ushtrinë. Nëse qeveria e Kosovës krijon kapacitete të shëndosha të partneritetit me NATO-n, ky proces lehtësisht përballohet. Dhe kjo arrihet vetëm nëse Kosova krijon stabilitet politik, luftë të pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ambient të mirëfilltë të zhvillimit të demokracisë. Fatkeqësisht, ky koalicion që po qeverise vendin nuk i posedon këto kualitete”, shtoi Kajtazi.

“Ushtria duhet të bëhet me ndihmën e NATO-s dhe SHBA-së”

Edhe eksperti tjetër i sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë se ushtria duhet të bëhet me ndihmën e NATO-s dhe SHBA-së.

“Gjithsesi që subjektet politike shqiptare gjithnjë duhen të jenë unikë në themelimin e ushtrisë. Por duhet të veprohet gjithnjë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës. Në këtë rast nëse Lista Serbe do ta braktise qeverinë, nëse projektligji për FAK-un procedohet ne kuvend, e sidomos kur nënkuptohet se kjo Liste Serbe e pengon miratimin e projektligjit për FAK-un edhe në mënyra tjera”, thotë Tërnava.

Image
Hajrullah Tërrnava

Ndryshimi i nenit kushtetues

Sipas tij, për të shmangur pengimin e Listës Serbe, atëherë me iniciativën e deputetëve të parlamentit të Kosovës duhet të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës, ku do të ndryshohet neni i parapare që e cekë se Lista Serbe duhet ta votoj këtë ligj me mbi 80% dhe në Kushtetutë të ceket se miratimi i këtij ligji bëhet me 2/3 e të pranishmeve në mbledhjen e parlamentit.

“Në këtë mënyrë tani në të ardhmen nuk do të ketë pengesa për miratim të këtij Ligji për ushtrinë, dhe të gjithë delegatët në parlament me këtë ndryshim të këtij neni, do të barazohen me votimet e tyre, sepse në Kushtetutën e tanishme dhe mënyrën e të votuarit për ndryshime sikur në ligjin konkret, del se Lista Serbe është më e privilegjuar apo ma e avancuar me më shumë të drejta dhe kompetenca se të tjerët deputet. Prandaj, nëse nuk ndryshohet ky nen Kushtetutës gjithnjë do të kemi probleme në ndryshimin e neneve, po edhe nëse tregohen se e pengojnë Kosovën në ecjet e saja pozitive”, shtoi Tërnava.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat