Eksperti i sigurisë flet për formimin e ushtrisë së Kosovës, tregon kush po e pengon krijimin e saj

Politika

Eksperti i sigurisë flet për formimin e ushtrisë së Kosovës, tregon kush po e pengon krijimin e saj

Nga: Suzana Rugova Më: 23 janar 2018 Në ora: 21:16
FSK

Që nga 2013-ta nuk ka ndryshuar pothuajse asgjë. Kosova ka mbetur pa e themeluar ushtrinë dhe kjo për shkak të refuzimit të votës nga Lista Serbe. Të gjendur në këtë situatë institucionet e Kosovës, gjatë këtij viti synuan që ushtrinë ta bëjnë me anë të ndryshimit të Ligjit për FSK-në, por edhe këtë nuk e arritën.

Ndërsa, tashmë kjo temë si duket edhe është harruar nga qeveria aktuale.

Image
Hajrullah Tërnava

Lidhur me këtë, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, në një prononcim për "Bota sot’’ thekson se e ardhmja e ushtrisë së Kosovës varet nga Beogradi.

Sipas tij pengesë e formimit të ushtrisë së Kosovës është Kushtetuta e Ahtisaarit,  ku sipas tij aty parashihej që pjesë përbërëse të jetë edhe Lista Serbe.

‘’Vonesa rreth formimit të ushtrisë i ka pengesat e saj te Kushtetuta e Kosovës. Kushtetuta e Ahtisaarit e cila ka kontribuuar që në preambulën e saj në Kushtetutë, ta parasheh Listën Serbe si pjesë përbërëse me deputetët e saj, dhe të cilët duhen ta votojnë me mbi 2/3 e votave themelimin e ushtrisë të Kosovës. Lista Serbe është në tërësi e dirigjuar nga Beogradi, dhe nuk bëjnë asnjë votim pa e konsultuar Beogradin’’ ka thënë Tërnava në përgjigjen për "Bota sot".

Sipas tij, faktorë kryesor për pengimin e formimit të ushtrisë është shteti serb me ndikimin e saj në deputetët e Listës Serbe.

Ndër tjerash, Tërnava thekson se pengesë është edhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga 5 shtete të BE-së.

‘’Edhe mosnjohja e Kosovës nga 5 shtete të BE është pengese për formimin e ushtrisë, por po u bë njohja e Kosovës nga Serbia, besoj se edhe këto 5 shtete do e njihnin pavarësinë e Kosovës. Me njohjen reciproke të Serbisë e Kosovës atëherë do të zhduken pengesat e formimit të ushtrisë.’’, përfundon Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat