E ardhmja e Vetëvendosjes ndërmjet të dorëhequrve dhe të mbeturve

Politika

E ardhmja e Vetëvendosjes ndërmjet të dorëhequrve dhe të mbeturve

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 13 mars 2018 Në ora: 13:56
Levizja Vetevendosje

Dorëheqjet në Lëvizje Vetëvendosje janë duke vazhduar. Sot në media është paralajmëruar se dorëheqje do të japë edhe deputeti Salih Salihu, i cili në zgjedhjet e fundit ka garuar për kryetar të Vitisë nga radhët e Vetëvendosjes.

Javën e kaluar nga kjo parti ka dhënë dorëheqje kryetari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti dhe deputetja Besa Baftiu.

Analisti politik, Skender Zogaj, thotë se kryetari Kurti ka ndikuar që të japin dorëheqje aktivistë e bashkëpunëtorët e tij.

 “Albin Kurtit tepër i ka shkuar kungulli mbi ujë sepse, duhet pranuar i ka funksionuar mirë metoda e pastrimit të trurit të bashkëpunëtorëve dhe aktivistëve por edhe të anëtarësisë së shumtë të Vetëvendosjes, të cilët me përkushtim të jashtëzakonshëm, përulje entuziaste dhe servilizëm deri në vetëpërbuzje iu kanë nënshtruar liderit të tyre dhe verbërisht kanë zbatuar urdhrat e tij, deri në akte kriminale. Mirëpo, kjo sakrificë u ka shkuar huq, sepse siç po vërtetohet, aktivistët më të dalluar në vend të konsideratës, janë ndjekur si "të dyshimtë" dhe tash po etiketohen dhe shpallen armiq! Të këtillët e kanë pa se çfarë kanë bërë dhe, normalist që ikja nga Vetëvendosja është hapi i parë i këndelljes së tyre dhe i shpëlarjes nga mëkatet e bëra. Të dorëhequrit janë të rinj me përgatitje të larta shkollore dhe intelektuale, kështu që, ndikimi i tyre për ikjen nga Albin Kurti, do të jetë i madh dhe me pasoja për Vetëvendosjen”, ka thënë Zogaj.

Image
Skender Zogaj

Sipas Zogajt, Vetëvendosja ka nevojë për reformim dhe kjo bëhet përmes të dorëhequrve.

“Vetëvendosja duhet të ketë reformim të thellë dhe spastrim rrënjësor ideologjik, që nuk mund ta bëjnë kurrë Albin Kurti, por të dorëhequrit, si Visar Ymeri, Shpend Ahmeti, Dardan Molliqaj, Aida Dërguri e shumë të tjera, deri të Glauk Konjufca, që është një personalitet i kompletuar prej intelektuali dhe politikani të formatit elitar, i cili nuk besoj se do të mund të qëndrojë edhe gjatë kohë nën hijen e Albin Kurtit”, ka pohuar Zogaj.

Dorëheqjet në këtë parti ka kohë që kanë filluar, pas disa problemeve të brendshme që kishin filluar një vit më herët.

Tashmë nga të gjitha strukturat e partisë janë larguar Dardan Molliqaj, Visar Ymeri, Dardan Sejdiu, Aida Dërguti, Fisnik Ismaili, Donika Kadaj – Bujupi, Dukagjin Gorani, Driton Çaushi, Qëndron Kastrati,  Faton Topalli, Frashër Krasniqi, Shqipe Pantina, e së fundmi edhe Shpend Ahmeti e Besa Baftiu.

Në këtë mënyrë Vetëvendosje humb dy komuna, Prishtinën dhe Kamenicën, si dhe shpërbëhet si grupi parlamentar më i madh në Kuvend, pasi që Ymeri dhe Molliqaj veçse kanë paralajmëruar partinë e re.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat