S’ka guxim asnjë gjykatës që të dënoj Fatmir Limajn dhe Azem Sylën

Politika

S’ka guxim asnjë gjykatës që të dënoj Fatmir Limajn dhe Azem Sylën

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 13 mars 2018 Në ora: 20:40
Azem Syla dhe Fatmir Limaj

Sistemi i drejtësisë në Kosovë ka dështuar, dhe kjo nuk është risi. Gjithsesi janë të paktë ata që besojnë se këtu ka drejtësi, për këta të paktë që besojnë dhe për të  arsyetuar dëshpërimin e qytetarëve me Kosovën e 18 viteve pa lufte mjaftojnë dy rastet e fundit. Fatmir Limaj, me 9 mars, është liruar nga akuza për përgjegjësi komanduese në rastin e njohur si “Bellanica” për vrasjen e dy civilëve, Ramiz Hoxha dhe Selman Binishi. Si dhe lirimi nga masa e paraburgimit e Azem Sylës.

Kanë mjaftuar 20 ditë që rasti i njohur si “Toka” të kalojë tek gjykatësit vendorë dhe Azem  Syla të lirohet nga akuzat. Për një gjë të tillë kishte paralajmëruar edhe ish-prokurori i këtij rasti (EULEX), Danilo Cecarreli i cili kishte deklaruar se “Transferimi i këtij rasti tek vendorët domethënë që është përfundim i rastit dhe të gjithë e dimë se pse”. Politika e pas viteve ’99 është e lidhur me korrupsionin, vrasjet, krimin, drogën e për pasojë rezulton se vetë shteti është krimi. Prandaj nuk mund të presim se drejtësia krijon drejtësi. Fajtor kryesor është sistemi i drejtësisë në Kosovë i cili ka prishur shtetin dhe shoqërinë duke e mbrojtur si të shenjtë dhe duke e ligjëruar mafian politike, krimin, grabitjen dhe tjetërsimin e pronave dhe të të drejtave të qytetarëve.

Në aferat e tjetërsimit të pronave dhe të tjera janë të përlyer shumica e politikanëve që e kanë luajtur së bashku pushtetin dhe e kanë mbrojtur njëri-tjetrin për interesa personale.

E gjithmonë duke e pësuar qytetarët e ndershëm. Nuk ka gjykatës dhe prokurorë që ka guximin për të dënuar Fatmir Limajn ose Azem Sylën, pasi ai gjykatës përveç që largohet nga puna edhe mund të (vet) vritet. Nga dështimet e drejtësisë që 19 vjet pas lufte, po krijohet Gjykata Speciale. Një gjykatë e cila do të merret me krimet e kryera gjatë luftës. Nëse Kosova do të kishte drejtësi të pavarur, do të kishte një sistem të pavarur të drejtësisë, e cila nuk merret me emrat por me raste, sigurisht se nuk do kishte nevojë që të krijohet një gjykatë e tillë.

Dështimet e liderëve politikë, kryesisht të krahut të luftës, i kanë dhënë vendit njolla të një shteti të dështuar. Nuk kam pritur që Limaj apo Syla të dënohen, në një prononcim që dhashë para disa ditësh në “Bota Sot” theksova se bartja e rastit të Sylës tek vendorët, i bie lirim i tij. Duke njohur sistemin e kalbur të drejtësisë duhet të jesh shumë naiv që të besosh se mund të dënohet Syla apo banda e klanit “ Pronto”.  

Pikërisht ky klan emëron gjykatës dhe prokurorë me telefonata, andaj nuk ka si të ketë drejtësi në një rast të tillë. Këto dy raste vetëm sa legjitimojnë ata që  të gjithë tashmë e dinë: Se këtu drejtësia vlen vetëm për qytetarët, ndërsa politikanët janë të amnistuar të vrasin, grabisin, tjetërsojnë prona e të rrahin policët. Janë mbi ligjin, dhe janë vetë ligji. Prandaj, edhe qytetarët mezi po presin liberalizim të vizave që të ikin nga këtu, ku nuk ka punë, nuk ka drejtësi, nuk ka të ardhme.

Deri në 1998 Kosovën e  plagosi Serbia, pas vitit 1999 e vranë dhe e varrosën politikanët, kryesisht komandantët. Derisa të vjen një klasë tjetër politike, që të ringjallë vendin e katandisur.  Duhet patjetër ndëshkimi e penalizimi i gjyqtarëve që shkelin dhe abuzojnë me ligjin në mënyrë që të kthehet besimi i qytetarëve te drejtësia. Kosova nuk mund të vazhdoj më kështu, derisa drejtësia prodhon padrejtësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat