Shteti në duar të LDK-së dhe Vetëvendosjes

Politika

Shteti në duar të LDK-së dhe Vetëvendosjes

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 11 prill 2018 Në ora: 21:14
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Subjektet politike opozitare, kanë hequr të gjitha dilemat sa i përket kërkesës për ta dërguar vendin në zgjedhje. Lëvizja Vetëvendosje i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila qe një kohë të gjatë është duke kërkuar zgjedhje me arsyetimin se Qeveria Haradinaj, nuk e ka shumicën dhe as legjitimitetin për të qeverisur me vendin.

Në anën tjetër, deputetët e ndarë nga Vetëvendosje, apo Grupi i Pavarur i Deputetëve, po presin një iniciativë konkrete nga LDK për ta rrëzuar Qeverinë.

Por, pavarësisht kërkesave me fjalë, deputetët e LDK-së ende nuk kanë ndërmarr ndonjë iniciativë të tillë.

Që kërkesa për zgjedhje të jetë serioze dhe e sinqertë, opozita duhet të ketë vizion të qartë politik.

Tashmë për kapjen e shtetit mund të flasin të gjithë, duke filluar nga qytetari më i thjeshtë e deri tek intelektuali më i njohur. Vendi është i kapur nga partitë në pushtet, të cilat me arrogancën e numrave mundohen ta mbajnë në këmbë këtë qeveri.

Aktualisht, pas largimit të Listës serbe, Qeveria Haradinaj nuk i ka as numrat për të qeverisur vendin dhe ky është pikërisht momenti i opozitës.

LDK dhe Vetëvendosje, duhet t`i intensifikojë veprimet dhe hapat për rrëzimin e Qeverisë.

Ato duhet t`i tejkalojnë mospajtimet ndërmjet tyre, dhe të bëjnë planin se si të rrëzojnë Qeverinë e drejtuar nga Ramush Haradinaj dhe të varur nga Lista serbe. Nuk mjafton vetëm një kërkesë e thjeshtë për zgjedhje pa ndonjë ide se si do të realizohet e njëjta.

Përtej kësaj, opozita do të duhej të mendonte edhe për periudhën pas mbajtjes së zgjedhjeve. Një koalicion ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes, ka kohë që është konsideruar si shpëtim për vendin. Formimi i këtij koalicioni, do të ishte i duhuri në kohën kur Kosova ndodhet para proceseve të rëndësishme të shtet-ndërtimit.

Barra politike për çdo gabim bie mbi qeverinë e saj, andaj nevojitet një qeveri që nuk bën kompromise të dëmshme siç qeveria aktuale po tenton të bëj.

Insistimi i Serbisë për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, në bazë të marrëveshjes së Brukselit duke mos respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, është rreziku më i madh që po i kanoset vendit. Nëse opozita nuk vepron me shpejtësi në rrëzimin e Qeverisë, atëherë ka rrezik që Kryeministri Haradinaj, të përdorë çështjen e Asociacionit në favor të Listës serbe për ta zgjatur qëndrimin në pushtet.

Java e ardhshme mund të jetë vendimtare sa i përket qëndrueshmërisë së Qeverisë.

Zgjedhjet demokratike janë e vetmja zgjidhje për ta nxjerrë vendin nga kriza në të cilën ndodhet aktualisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat