Shpalosja e ‘Platformës konsensuale’ nga ana e kreut të PDK-së, Kadri Veseli tregon pafuqinë e Qeverisë Haradinaj për të qeverisur me vendin, pasi që ekzekutivi aktualisht ka hyrë në një krizë politike.
Kjo krizë politike erdhi me daljen e Listës Serbe nga koalicioni qeverisës, duke lënë Qeverinë Haradinaj me 52 ulëse në Kuvend.
Kurse, sipas Kushtetutës në fuqi ekzekutivit i nevojiten minimumi 61 vota për të bërë shumicën minimale në Parlament për miratimin e ligjeve dhe vendimeve që kanë për qëllim interesin qytetarë.
Nga ana tjetër, institucionet e Kosovës kanë para vete disa tema madhore që duhet të përfundojnë gjatë kësaj legjislature.
Kështu që, duke pasur një Qeveri me 52 deputetët dhe e paaftë që të përballet me temat madhore, siç janë krijimi i Asociacionet të komunave me shumicë serbe, bisedimet me Serbinë, formimi i ushtrisë, etj, shpëtimi i saj po tentohet të bëhet për mes ‘Platformës konsensuale’ të kreut të PDK-së, Kadri Veseli.
Por kjo platformë po paraqitet në mënyrë dinake nga kreu i PDK-së në emër të partive të koalicionit PANA, duke u thirrur në interesat madhore të shtetit të Kosovës.
“Duke marrë për bazë interesin më të mirë të Republikës së Kosovës, me qëllim të avancimit në agjendën e shtetndërtimit; Duke synuar arritjen sa më të shpejtë të qëllimeve për integrime euroatlantike të Kosovës; Me qëllim që të përmbyllet dialogu me Serbinë, për t’u ndërtuar një partneritet i fqinjësisë së mirë; Duke vlerësuar situatën e tanishme politike në Republikën e Kosovës; Me vullnetin dhe përkushtimin për të përmirësuar të tashmen dhe garantuar të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, Propozoj: Platformën konsensuale dhe gjithëpërfshirëse të agjendës shtetërore në Republikën e Kosovës”, thuhet në një pjesë të kësaj platforme.
Përpos krizës politike dhe paaftësisë së Qeverisë Haradinaj, shpalosja e ‘Platformës së Veselit’ ka edhe një qëllim tjetër që është hedhja poshtë e iniciativës së LDK-së për një tryezë të përbashkët ndërmjet partive politike.
Qëllimi i kësaj tryezë të përbashkët sipas LDK-së, është koordinimi i partive politike për temat e rëndësishme para se Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Kështu që partitë e koalicionit PANA pa iu përgjigjur ftesës së LDK-së për një tryezë të përbashkët të gjithë spektrit politik, Veseli i PDK-së del me një platformë që në thelb përmban kërkesat e njëjta të Lidhjes Demokratike të Kosovës.