Kërkohet që BE-ja të marr masa ndaj Serbisë për propagandat kundër Kosovës

Politika

Kërkohet që BE-ja të marr masa ndaj Serbisë për propagandat kundër Kosovës

Nga: D.RR Më: 30 tetor 2018 Në ora: 22:51
Frederica Mogherini dhe Aleksandër Vucic

Analisti politik, Faik Krasniqi i ka komentuar për “Bota sot” propagandat e vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës. Madje, presidenti serb Vuçiq, deklaroi se ka bindur Turqinë të largojë flamurin e Kosovës gjatë kohës sa ishte atje.

Këto propaganda të Vuçiq, u demantuan më pas nga autoritet e Kosovës nga Ministria e Jashtme.

Krasniqi thotë se për këto propaganda të vazhdueshme, duhet BE-ja të marrë masa ndaj shtetit serb.

Image
Faik Krasniqi

“Serbia ka bërë propagandë gjithmonë ndaj Kosovës. Në çdo mënyrë të mundshme, por BE-ja gjithmonë ka heshtur. Padyshim që BE-ja do të duhej të merrte masa ndaj propagandës serbe që po e bën vazhdimisht ndaj Kosovës. Por duke e ditur që Serbia është e përkëdhelura e BE-së, nuk pres që do të merrë masa ndaj saj. BE-ja është e interesuar që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë, të arrihet një marrëveshje ''paqeje'' mes dy vendeve, dhe Serbisë t'i hapet rruga që sa më shpejt të bëhet pjesë e BE-së. Bashkimit Evropian i intereson që Serbia të bëhet pjesë e saj, dhe jo propaganda dhe sabotazhi që është duke i bërë Kosovës”, është shprehur Krasniqi.

Ai mendon se gabimi qëndron edhe te politikanët e Kosovës, sepse ata nuk është dashur të hynë në bisedime fare, ndonëse dialogu ka mbetur pezull.

“Mirëpo politikanët tanë kanë faj për këtë çështje, sepse nuk është dashur as të futen në bisedime me Serbinë, e lëre më ta vazhdojnë dialogun e ngelur pezull. Jo deri sa Serbia të ndryshojë qasje ndaj nesh, dhe jo deri sa BE-ja të na dëshmojë që dëshiron edhe ne të jemi pjesë e BE-së. Dëshmia dhe testi i parë do të ishte heqja e menjëhershme e vizave për qytetarët e izoluar të Kosovë. Nëse edhe këtë gjë nuk e bën BE-ja, atëherë me këtë na e dëshmon që për ta interesant është Serbia por jo edhe Kosova!”, ka përfunduar Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat