TAP, Ilir Bejtja: Shqipëria ka pozicion të mirë komercial dhe gjeografik për të përfituar

Shqipëria

TAP, Ilir Bejtja: Shqipëria ka pozicion të mirë komercial dhe gjeografik për të përfituar

Më: 4 janar 2021 Në ora: 21:21
Ilir Bejtja

Gazsjellësi Trans Adriatik ka hapur rubinetat dhe ka nisur rrjedhjen e gazit nga Azerbajxhani drejt Evropës. Zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja thotë se Shqipëria përveç se një rrugë kalimi mund të përfitojë për ta kthyer gazin në burim energjie pasi është ngritur tashmë infrastruktura e parë për të qenë një burim i ri energjie për të gjithë Evropën.

“Shqipëria ka një pozicion mjaft të mirë qoftë nga pikëpamja komerciale dhe qoftë nga pikëpamja gjeografike për të përfituar, jo vetëm nga kalimi por për ta pasur dhe për vete një burim mjaft të mirë gazin në të ardhmen”, u shpreh z.  Bejtja.

Zv.ministri theksoi se fillimisht gazi mund të ofrohet si mbështetje për industritë e rënda dhe më pas do të shikohet mundësia për ta përdorur dhe si mundësi alternativë për ngrohej dhe kjo gjë do t’u ofrohet kryesisht qyteteve ku ka dimër të gjatë siç janë Korça, Gjirokastra apo Tropoja.

Nga ana tjetër, z. Bejtja theksoi se Shqipëria po shikon dhe disa mundësi për të pasur burimet e saj të gazit.

“Pretendojmë të kemi dhe zbulime në vend në blloqet e naftës që sot investohen nga Shell dhe në Dumre që financohen nga ENI. Kemi dhe një mundësi të re. Prej dy vitesh po negociojmë me dy kompani amerikane për të pasur dhe gazin e lëngshëm”, u shpreh zv.ministri.

Ndërkohë drejtor i Albgaz, Arbër Avrami tha se pavarësisht diversfikimit të burimeve energjetike, kontinenti i Evropës nuk mund të jetë i pavarur nga Rusia.

“Përgjigjja është jo, sepse ne jemi shpresëplotë në kuadër të politikave të diversifikimit të burimeve energjetike”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat