Kush i dogji Sarajet? Saraçi: SPAK të hetojë provat dhe faktet

Shqipëria

Kush i dogji Sarajet? Saraçi: SPAK të hetojë provat dhe faktet

Më: 18 gusht 2021 Në ora: 18:04
Foto ilustrim

Qytetarët autoktonë të Tiranës janë të zhgënjyer nga zhdukja e historisë dhe kulturës së kryeqytetit.

Për Majlinda Saraçin, anëtare e shoqatës Tirana Autoktone, djegia e Sarajeve të Toptanëve ishte skandali i radhës pas asaj që ndodhi me godinën e Teatrit Kombëtar.

Për Ora News, ajo thotë se skandali thellohet kur kryebashkiaku i Tiranës flet për shpronësime të vulosura në biseda telefonike me kryeministrin pa negociuar asgjë me pronarët, të cilët edhe ata vetë janë në konflikt mes tyre.

Saraçi: Marrë shkas nga një skandal i radhës pas atij të Teatrit që u shkatërrua më herët në mënyrë shtazarake, me 17 gusht u gjetëm para faktit të djegies së sarajave. Skandali më i madh ishte mashtrimi i radhës i kryebashkiakut Veliaj i cili justifikohet që këtyre sarajeve nuk ju vu zjarrin nga kjo qeveri që tashmë dihet ka në synimin e saj shkatërrimin e objekteve të artit dhe kulturës, sidomos në qendër të Tiranës dhe ne tiransit jemi goxha të zhgënjyer sa i përket humbjes së traditës dhe kulturës sonë. Këto shpronësime nuk janë shpronësime që mund të bëhen ashtu siç ai është shprehur nga një bisedë telefonike me kryeministrin në mes të natës pasi shpronësimi është një proces kushtetues dhe ligjor, nuk mund të shpronësohen pronarët e një prone pa patur negociata me ta, pa zgjidhur problemin apo konfliktin që kanë këta pronarë.

Pronarët e sarajeve janë një numër i konsiderueshëm prej 18 pronarësh dhe kanë një konflikt midis tyre. Pa u zgjidhur ky konflikt midis pronarëve, ose me gjykatë ose me marrëveshje midis tyre, bashkia është ilegjitime. Bashkia nuk legjitimohet në këtë proces dhe të kërkojë shpronësimin në mënyrë të mënjëhershme siç e ka kërkuar. Është një rast tepër flagrant dhe jemi goxha të shokuar.Unë përfaqësoj shoqatën Tirana Autoktone, si anëtare e saj e cila është krijuar nga një grup tiranasish nga diaspora dhe iniciativa e krijimit të kësaj shoqate ka ardhur si rezultat i shkatërrimit të monumenteve të artit, kulturës, traditës dhe pse jo dhe Tiranës në përgjithësi që ka humbur gjithçka të saj dhe është kthyer në një qytet betoni duke mos dhënë asgjë nga historia që ajo ka pasur.

Si një nga Monumentet më të vjetra që i kishte mbetur Tiranës, Saraçi thotë se shteti edhe pse e vlerësoi nuk e mbrojti.

Saraçi: Ky është është i vetmi Monumentet që i ka mbetur Tiranës, është nga Monumentet më të vjetra që daton rreth viteve 1840, e vetme nga objektet e sarajeve feudale që është ruajtur në Shqipëri.Është nga godinat më karakteristike që është ndërtuar në mënyrë orientale të 32 dhomave dhe ka qenë një nga godinat që të gjithë e admironin dhe kishin dëshira ta shikonin nga afër. Është për të ardhur keq që është ky Monument Kulture që është vlerësuar nga shteti nuk u arrit të ruhet nga shteti.

Për çudinë më të madhe pas djegies del kryebashkiaku dhe thotë tani ne marrim në ruajtje 24 orë këtë godinë. Ne dimë që kjo godinë ruhej nga një nga 18 pronarët e kësaj godine që kjo të mos ndodhte dhe ndodhi. Nga informacionet që kemi është që flakët janë fikur nga kalimtarët, persona individë por jo nga zjarrfikëset që kanë ardhur shumë vonë. Për çudi zjarrfikëset edhe e fikën dhe u rindez përsëri zjarri. Është një tendencë për këto saraje. Presidenti u shpreh por nëse ka fakte dhe prova duhet ti nxjerrë, nëse është e vërtetë që kemi një leje ndërtimi të miratuar nga bashkia për ngritjen e kullave.

Nga të gjithë palët ka një dakordësi për zjarrvënie të qëllimshme pasi autori u filmua nga kamerat e sigurisë por identifikimi dhe nxjerrja e tij para përgjegjësisë sipas Saraçit duhet të bëhet nga SPAK.

Saraçi: Provat dhe faktet janë dhe duhet të merret SPAK. Edhe për Teatrin Gjykata Kushtetuese është shprehur, ka nxjerrë një vendim por problemi është se në bazë të atij vendimi që ka nxjerrë Kushtetuesja çfarë kthehet, a e kemi më Teatrin, nuk e kemi. Nëse dhe sarajet do të përfundonin në një situatë të tillë, do të digjeshin, do të shkrumboheshin, atëherë jemi në kushtet që këtu duhet të ndërhyjë SPAK sepse provat janë dhe duhet të gjykohet e të dalë fajtori, kush e ka djegur? Kush e vuri zjarrin sepse pretendohet se mund të jetë vënë dhe nga pronarët.

Saraçi nuk e fsheh keqardhjen që ndjen si qytetare e Tiranës, teksa sheh se qyteti i saj ka mbetur pa histori dhe kulturë dhe në të cilin ka "mbirë" kudo betoni dhe kullat shumëkatëshe.

Saraçi: Nuk i ka mbetur asgjë në histori kësaj Tirane, nuk i ka mbetur asgjë në kulturë. Sot nëse vijnë të huja dhe duan të shikojnë në lidhje me traditën dhe historinë nuk dimë ku ti çojmë dhe çfarë të tu tregojmë. Edhe Sahati është kthyer në një turp për shkak të ndërtimeve që po bëhen. Edhe Sarajet nëse nuk do të mbrohen do të kenë fatin e Teatrit. Ne si shoqëri Tirana Autoktone jemi shumë të shqetësuar. Veprat e vjetra në çdo shtet  ruhen dhe trajtohen ndryshe nga qeveritë e atyre vendeve duke i lënë ato të paktën në histori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat