PS kërkon që Presidenti të mandatojë Edi Ramën për të formuar qeverinë e re

Shqipëria

PS kërkon që Presidenti të mandatojë Edi Ramën për të formuar qeverinë e re

Më: 4 shtator 2021 Në ora: 12:03
Ilustrim

Mëngjesin e sotëm ka mbërritur në Presidencë shkresa e Partisë Socialiste për mandatimin e Edi Ramës për të formuar qeverinë e re, mëson Euronews Albania.

Kërkesa e PS-së bazohet në nenin 96 të Kushtetutës që përcakton se Presidenti emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend, në rastin konkret PS.

Pasi Kryeministri mandatohet nga Presidenti, Rama i paraqet për miratim Kuvendit brenda 10 ditëve programin qeverisës dhe emrat e ministrave.

Pas miratimit në Parlament, kryeministri i dërgon Presidentit për dekretim ministrat, i cili duhet të shprehet brenda 7 ditëve.

Të enjten në Asamblenë e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama prezantoi kabinetin e ri qeveritar të përbërë nga 15 ministri. 12 ministri do të drejtohen nga gra dhe vetëm 3 prej tyre nga burra.

Në një përllogaritje të bërë nga Euronews Albania rezulton se mosha mesatare e qeverisë “Rama 3” është 45.5 vjeç.

Po kështu, në kabinetin e ri qeveritar u rikonfirmuan në detyrë 8 ministra, por nga ana tjetër nuk munguan edhe emrat e rinj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat