Ndryshon ligji, shtyhet afati për regjistrimin e pronarëve përfitues deri në 1 prill 2022

Shqipëria

Ndryshon ligji, shtyhet afati për regjistrimin e pronarëve përfitues deri në 1 prill 2022

Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 16:49
Foto ilustrim

Qeveria vendos të rishikojë ligjin ‘Për regjistrin e pronarëve përfitues’ duke caktuar një afat të ri për të gjitha subjektet. 1 prilli i vitit 2022 është data e propozuar nga qeveria, e cila ka paralajmëruar përshkallëzim të gjobave nëse bizneset nuk i përmbahen këtij detyrimi. Deri tani sipas shifrave zyrtare të relacionit, vetëm 1/3 e subjekteve kanë raportuar në regjistrin e  pronarëve përfitues.

Qeveria vendos të shtyjë deri më 1 prill të vitit 2022 afatin për raportimin e pronarëve nga subjektet. Afati i vendosur për tu mbyllur në qershor të këtij vitit ka përfunduar dhe rezulton se më pak se gjysma e subjekteve që kanë detyrim regjistrimin e pronarëve në regjistër kanë zbatuar ligjin.

Për këtë arsye qeveria ka hedhur për konsultim disa ndryshime në ligjin ‘Për pronarët përfitues’ duke pranuar se ato do të shërbejnë për rregullimin e situatës së krijuar.

Sipas relacionit, detyrimin për regjistrimin e pronarëve dhe aksionerëve e kanë rreth 60 mijë subjekte dhe e kanë përmbushur deri tani afërsisht 22 mijë. E njëjta situatë paraqitet dhe me organizatat jofitimprurëse. Kjo është hera e dytë që qeveria vendos t’i japë kohë bizneseve të regjistrojnë të dhënat pasi në mars të këtij viti përmes një akti normativ u miratua zgjatja e afatit deri më 30 qershor.

Nisur nga kjo situatë është propozuar zgjatja e afatit për subjektet që regjistrohen vazhdimisht nga 30 ditë në 40 ditë. Po kështu në draft parashikohet falja e gjobave të vendosura përpara hyrjes në fuqi të projektligjit dhe rimbursimi i subjekteve që kanë paguar gjobat dhe kanë bërë regjistrimin para 1 prillit të vitit 2022.

Qeveria ka paralajmëruar përshkallëzim të gjobave nga 250 mijë lekë në 600 mijë lekë nëse subjektet e sapokrijuara nuk bëjnë regjistrimin e pronarëve edhe pas 40 ditëve afat që iu është lënë. Gjoba për mosregjistrimin e të dhënave brenda afatit rritet me 150 mijë lekë, ndërkohë parashikohet dhe një masë administrative me vlerë 400 mijë lekë për subjektet që nuk pasqyrojnë ndryshimet brenda 40 ditëve. Në rastin e aplikimeve të paplota dhe që kanë të meta, qeveria propozon t’i japë 30 ditë kohë për rregullimin e tyre.

Një ndryshim tjetër lidhet me popullimin e regjistrit të pronarëve përfitues nga Qendra Kombëtare e Biznesit për subjektet raportuese që kanë pronësi direkte. Sipas qeverisë, projektligji synon të nxisë rritjen e numrit e raportimeve të pronarëve përfitues dhe zbatimin e rekomandimeve të ekspertëve të Moneyval, një mekanizëm i Komisionit Europian kundër pastrimit të parave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat