SOS!

Shqipëria

SOS!

Nga: Azgan Haklaj Më: 31 gusht 2022 Në ora: 13:33
Ky veprim i qeverisë nuk është fillimi i një platforme kundër popullit të Malësisë së Gjakovës

E kuptoj reagimin e qytetarëve të Bashkisë së Tropojës për zhvendosien e zyrës kadastrale në Kukës.

Bëhem pjesë e këtij shqetësimi dhe e denoj këtë veprim të qeverisë, por për hir të së vertetës ky veprim i qeverisë nuk është fillimi i një platforme kundër popullit të Malësisë së Gjakovës por është vazhdim i veprimeve të qeverisë Berisha, i cili zhvendosi fillimisht në Kukës të gjitha drejtoritë vendore të Tropojës pas ardhjes në pushtet në vitin 2005, ndonëse e patëm kundërshtuar me forcë dhe i patëm kërkuar që nënprefekturës së Tropojës t’i jepte statusin e prefekturës, siç ia dha Sarandës.

Për Tropojën nuk e bëri gjatë 8 viteve të qëndrimit të tij në pushtet.

Berisha edhe pikën e kalimit të kufirit të Qafë Morinës të kthyer në doganë e la të tillë edhe pse e kishte mundësinë të dialogonte me qeverinë e Kosovës për ta kthyer në gjendien e mëparshme.

Sot Berisha deklarohet jam nga Kosova!

Këto veprime të fundit të qeverisë shqiptare janë vazhdimësi si në rastin e HEC-ve, të cilat i pat firmosë Berisha dhe i vulosi Rama.

Të gjitha këto veprime të qeverive shqiptare në vite ngjajnë me një platformë që ka për qëllim zhbërien e identitetit të Malësisë së Gjakovës, madje kjo plaformë ka filluar qysh në vitin 1946, kur Enver Hoxha i ndryshoj emrin kësaj krahine, biles e pagëzoj sllavisht Tropojë.

Po ashtu dy krahinat Nikaj dhe Mertur i pagëzoj me emrin e një fshati Lekbibaj.

Gjithashtu në vitin 1997 qarqet antikombëtare serbe sulmuan e shkatërruan institucionet vendore mes të cilave edhe muzeun historik të kësaj krahine.

Tropoja e sotme (Malësia e Gjakovës) historikisht nuk ka asnjë lidhje historiko-kulturore me Kukësin.

Tradicionalisht këtë lidhje e ka me Hasin sepse gjithmonë i është thënë Has e Malësi.

Për shkak të lidhjes që nga etnogjeneza e Dardanisë Alpine që shtrihej nga Jezerca deri në Pashtrik të Hasit dhe për të mbajtur lidhjen shpirtërore me Dardaninë Antike “Kosova e sotme” në kohën e mbretërisë shqiptare Malësia e Gjakovës dhe Hasi u emërtuan nënprefektura e Kosovës nga mbreti i shqiptarëve Ahmet Zogu.

Historia ka një rol determinant kur bëhet fjalë për ndarjen administrative, përndryshe rrezikon zhbërien e identitetit të një vendi.

Po ashtu edhe nga pikpamja e parimeve demokratike duhet pasur kujdes që sherbimi të shkoj tek qytetari dhe jo qytetari tek sherbimi.

Ky është një nga parimet bazë të demokracisë!

Demokracia është kontratë sociale e zgjedhësit me të zgjedhurin apo e sovranit me të të zgjedhurin që ia ka deleguar pushtetin për ta ushtruar thotë Zhan Zhak Rusoi tek “Kontrata sociale”.

Pavarësisht kësaj katrahure që ka ndodhur ka një mundësi rishikimi, meqenëse grupet parlamentare po hartojnë ndarjen e re administrative e grupi parlamentar i PDSH ka të drejtë vetoje i propozoj që:

Së pari të korrigjojë të gjitha ndarjet, emërtimet pa bazë historike-etnografike, tradicionale.

Së dyti Tropoja të marrë emrin e vet identitar “Malësia e Gjakovës” dhe Hasi e Malësia e Gjakovës të emërtohen prefekturë me vete, apo edhe nënprefekturë me status prefekture me emrin Prefektura e Dardanisë Alpine.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat