Diskutimi i Projekt-buxhetit pa paketën fiskale/ Deputetja e PD: Qeveria e rrezikut duhet trajtuar, ngrihemi në 12 nëntor!

Shqipëria

Diskutimi i Projekt-buxhetit pa paketën fiskale/ Deputetja e PD: Qeveria e rrezikut duhet trajtuar, ngrihemi në 12 nëntor!

Më: 26 tetor 2022 Në ora: 14:02
Sorina Koti

Nën-kryetarja e komisionit të ekonomisë dhe njëkohësisht deputetja e Partisë Demokratike Sorina Koti ka deklaruar ditën e sotme se ndërkohë qe në kuvend diskutohet projekt buxheti, në Këshillin e Ministrave diskutohet paketa fiskale.

Sipas saj ky veprim është një shenjë arrogance e qeverisë, ndërsa shtoi se “kundrejt kësaj vetëkënaqësie” duhet të ngrihemi dhe të protestojmë. gjë që do të ndodhë në datën e paralajmëruar dhe më herët nga Berisha, 12 nëntor.

Deklaratë e deputetes dhe n/kryetares së Komisionit të Ekonomisë, Sorina Koti

Shqyrtimi në Kuvend i projektbuxhetit të vitit 2023, bëhet në shkelje të praktikave të parlamentarizmit, në amatorizëm dhe arrogancë të plotë. Sot në Komisionin e Ekonomisë është diskutuar për projektbuxhetin, pa e shoqëruar me paketën fiskale, sipas traditës dhe sipas logjikës.

Diskutimi i projektbuxhetit pa paketën fiskale është si të dalësh për të bërë pazarin pa e ditur se sa ke për të shpenzuar për çdo artikull që duhet të blesh.

Partia Demokratike e dënon me forcë këtë sjellje anti-parlamentare të mazhorancës me patericë të Edi Ramës, e cila i sheh rregullat dhe ligjet me pasionin e një kundravajtësi dependent.

Jo vetëm që kjo praktikë e re anti-paralmentare bie ndesh me Rregulloren e Kuvendit, neni 78 pika 3, por edhe me kalendarin e punimeve të Kuvendit, në të cilin është sanksionuar se projekt-buxheti dhe paketa fiskale do të diskutohen së bashku.

Për dijeni të publikut, kalendari i punimeve është dakordësuar në Konferencën e Kryetarëve, dhe është hedhur poshtë sot nga shkelësit e cdo rregulloreje, pakti dhe tradite, rilindësit e Edi Ramës.

Për dijeni të publikut, ndërkohë që në kuvend diskutohet project-buxheti, pra si do të ndahen shpenzimet zë për zë në buxhetin e shtetit, në Këshillin e ministrave diskutohet paketa fiskale, pra sa lekë do të jepen. Një mospërputhje totale e veprimeve, dëshmi e një çoroditjeje qeveritare të klasit të fundit.

Tradita parlamentare dhe e shtetbërjes është e konsoliduar tashmë. Në fillim sillet paketa fiskale dhe pastaj vjen projekt-buxheti. Në rastin më minimal ato vijnë të dyja bashkë.

Por, asnjëherë nuk ndodh që projekt-buxheti të vijë para, sic po ndodh aktualisht.

Kjo shenjë arrogance, ky obezitet i pushtetit, u pa edhe sot në debatet në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, ku opozita dhe fjala e saj u trajtuan si qëndrimet e një armiku që duhet shmangur.

Nuk presim më shumë, dhe as më pak, nga një qeveri e tillë e cila përkryen korrupsionin, shton vjedhjet në kurriz të qytetarit dhe nuk konsideron punët e shtetit.

Sepse shteti dhe pushteti nuk janë e njëjta gjë, siç na e provon Edi Rama prej 10 vitesh.

Kjo është qeveri e rrezikut kombëtar dhe si e tillë duhet trajtuar.

Kundër kësaj arrogance dhe vetëkënaqësie duhet të protestojmë dhe kundër saj do të ngrihemi më 12 nëntor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat