Kapërcyen murin e shtëpisë ngjitur për t’i shpëtuar policisë, arrestohen të gjithë anëtarët e familjes

Shqipëria

Kapërcyen murin e shtëpisë ngjitur për t’i shpëtuar policisë, arrestohen të gjithë anëtarët e familjes

Më: 11 janar 2023 Në ora: 11:21
Pjetër Gjoni

Më 12 Tetor 2022, në fshatin Bardhaj të Shkodrës u zhvillua një aksion policor anti-drogë ku u arrestuan 16 persona.

86 kilogramë kanabis u gjetën brenda një shtëpie, ndërsa u arrestua pronari i banesës Pjetër Gjoni dhe 10 gra punëtore të kanabisit.

Por bashkë me ta u arrestua edhe gruaja e pronarit të shtëpisë, si dhe prindërit dhe vëllezërit e Pjetër Gjonit, të cilët jetojnë në një tjetër banesë që është ngjitur me atë të Pjetrit dhe i ndan vetëm një mur.

Zef Gjoni 56 vjeç ishte një nga të arrestuarit në momentet e para. Në një intervistë për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, ai thotë se nuk kanë lidhje me kanabisin, pasi jetojnë në shtëpi të ndara me djalin e madh Pjetrin, në banesën e të cilit u gjet droga.

Sipas tij, Pjetri dhe 10 gratë punëtore kapërcyen murin ndarës dhe kaluan në oborrin e shtëpisë së Zef Gjonit për t’i shpëtuar policisë.

Por kur uniformat blu i kapën në oborrin e shtëpisë së tij, arrestuan edhe Zef Gjonin, bashkëshorten e tij dhe 3 djemtë e tjerë të tij që banojnë me të.

Zef Gjoni: Djali i madh (Pjetri) ka qenë këtu.

Spartak Koka: Djali i madh shtëpinë e tij e ka këtej?

Zef Gjoni: Po.

Spartak Koka: Po çfarë donte këtu?

Zef Gjoni: Ka dashur t’i ikë policisë, ka dashur të kalojë andej.

Spartak Koka: Për shkak të kanabisit që i është gjetur në shtëpinë e tij.

Zef Gjoni: Po. Ka kërcyer ai. Edhe punëtoret siç kanë deklaruar ato vetë. Djali i vogël flinte këtu, ka ndjerë zhurmën jashtë. Kur ka ndjerë zhurmën djali, ka dalë, ka hapur derën, në momentin që ka hapur derën i kanë dalë policët i kanë vënë pistoletën në kokë, e kanë kapur edhe atë. Unë s’kam dëgjuar gjë.

Spartak Koka: Ke qenë brenda?

Zef Gjoni: Po, brenda. Sa u çova nga krevati. Shkova te kuzhina i thashë gruas më bëj një kafe. Hyj te dera e kuzhinës kur ndjej potere jashtë këtu. Hap derën, ka dalë gruaja përpara meje. Tha policia. Dal te dera kur shoh dy djemtë, ia kishin vënë pistoletën në kokë. Ishin edhe civila. Thashë çfarë u bë? Njëri prej tyre tha hajde me mua. E kishin hapur atë shtegun aty, më ka marrë edhe dolëm atje kur pashë kanabisin.

Spartak Koka: Kjo pjesa këtu (dera) kështu ka qenë edhe në 12 Tetor?

Zef Gjoni: Po, po. Edhe para Tetorit. Ka qenë që kur është bërë muri. Kam dashur ta mbyllja fare.

Spartak Koka: Punëtoret që ishin te djali, dhe djali, e kanë hapur në momentin që kanë konstatuar policinë?

Zef Gjoni: E kanë hapur sa të kalonin vetë.

Spartak Koka: Vetë ke pasur dijeni se çfarë po bënte djali?

Zef Gjoni: Jo. E sheh vetë sa është muri i lartë.
Spartak Koka: Djali e ka shtëpinë e tij, tokën e tij?

Zef Gjoni: Po, po, të gjitha.

Elvis Gjoni është njëri nga 4 djemtë e Zef Gjonit që banon në shtëpi me të atin dhe nënën. Ai tregon për Uniko se nuk e lidh asgjë me kanabisin e gjetur në shtëpinë ngjitur të vëllait të tij Pjetrit dhe se ky i fundit e ka marrë përsipër përgjegjësinë.

Spartak Koka: Çfarë të lidh ty me kanabisin që është gjetur te shtëpia e vëllait?
Elvis Gjoni: Mua nuk më lidh absolutisht asnjë lloj gjëje.

Spartak Koka: Sa vjeç je?

Elvis Gjoni: 24.

Spartak Koka: Me çfarë merresh?

Elvis Gjoni: Me ndërtim, punoj në ndërtim në Mal të Zi. Rri atje, vij një herë në 2-3 javë. Atë ditë që më kanë arrestuar, atë ditë kam pasur prapë për të ikur.

Në ditën e aksionit, policia arrestoi Pjetër Gjonin, pronari i banesës ku u gjet droga, gruan e tij, babain e nënën dhe dy vëllezër të tij.

Tre ditë më vonë pas aksionit, kur dolën në gjykatë për vlerësim mase sigurie, Elvis Gjoni u la në arrest shtëpie, siç vijon të jetë. Babai i tij, Zef Gjoni është me detyrim paraqitje. Po kështu edhe nëna ju lirua, si dhe bashkëshortja e Pjetrit. Por në qeli vijon të ngelet Roland Gjoni, vëllai tjetër i tij, së bashku me Pjetër Gjonin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat