Dhuna barbare në Borizanë nga fisi Rraja, policia jep informacion zyrtar

Shqipëria

Dhuna barbare në Borizanë nga fisi Rraja, policia jep informacion zyrtar

Më: 10 korrik 2023 Në ora: 13:40
Foto nga vendi i ngjarjes

Në vijim të informacioneve të dhëna rreth konfliktit të ndodhur në Borizanë, më datë 06.07.2023, ju bëjmë me dije se:

1.Policia e Krujës, në përmbushje të plotë të detyrave funksionale, pas denoncimit të bërë nga shtetasi B. M., për shkatërrim të pronës, ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme policore, dhe më datë 05.05.2023 ka referuar në Prokurori, me shkresën nr. 1408, materialet procedurale prej 20 faqesh, mbi këtë kallëzim. Materialet procedurale të referuara përfshinin informacionin e referimit të veprës penale, procesverbalin e kallëzimit, procesverbalin e këqyrjes së vendit, procesverbalin e deklarimeve dhe procesverbalin e këqyrje-marrjes së provave materiale.

2.Në vijim, si rezultat i veprimeve konkrete hetimore dhe procedurale të kryera mbi këtë kallëzim, Policia e Krujës, më datë 10.05.2023, ka referuar në Prokurori, me shkresën nr. 1466, materialet procedurale prej 186 faqesh, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal. Materialet e para procedurale përfshinin referimin e veprës penale, procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, procesverbalet e këqyrjes së banesave, procesverbalet e deklarimeve të personave që kanë djeni, vendimin për caktimin e ekspertit dhe për caktimin e ekspertimit teknik, si dhe procesverbalin për këqyrjen dhe marrjen e dokumenteve.

3.Gjithashtu, në vijim të veprimeve policore për këtë rast, Policia e Krujës, më datë 30.05.2023, ka referuar në Prokurori, me shkresën nr. 1466/1, materiale procedurale shtesë të kryera në funksion të dokumentimit të plotë ligjor të këtij rasti.

Theksojmë se Policia e Krujës ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për këtë rast, me paanshmëri dhe konform ligjit, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të shtetasve përgjegjës. Kallëzimi i marrë për këtë rast, si dhe çdo indicie tjetër, janë trajtuar në zbatim të procedurave standarde të punës dhe çdo material procedural i është referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për kryerjen e hetimeve të thelluara.

Policia e Shtetit siguron qytetarët se është e vendosur për të zbatuar ligjin me korrektësi dhe me paanshmëri, si dhe për të ndëshkuar ligjërisht, cilindo që cenon liritë dhe të drejtat e qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat