Saranda histori suksesi turistik, Çaçi: Mbi 250 mijë turistë vendas e të huaj

Shqipëria

Saranda histori suksesi turistik, Çaçi: Mbi 250 mijë turistë vendas e të huaj

Më: 27 shtator 2023 Në ora: 18:26
Foto ilustrim

Qyteti bregdetar i Sarandës në Shqipëri ka tërhequr këtë vit një numër të lartë turistësh vendas e të huaj.

Kryetari i bashkisë së Sarandës, Oltion Çaçi publikoi sot (e mërkurë) një video në rrjetet sociale historinë e suksesit turistik të qytetit bregdetar gjatë këtij viti.

“Ky vit shënoi kulmin turistik me një rritje prej 30 % të turistëve në krahasim me vitin e kaluar. Statistikat portuale tregojnë mbi 250 mijë turistë që kanë ardhur në Sarandë, 40 mijë më shumë se viti i kaluar, si dhe 35 % rritje të fluksit të mjeteve turistike”, tha Çaçi.

“Turistë nga më shumë se 100 nacionalitete e vizituan vendin tonë si: Italia, Spanja, Suedia, Norvegjia, Danimarka, Portugalia, Franca, Gjermania, Amerika etj.”, tha ai, duke shtuar ky është viti ku fituam njohje dhe vlerësim të gjerë ndërkombëtar.

Për herë të parë Ksamili u shfaq në “Times Square”, New York, falë fushatës promovuese të iniciuar nga bashkia Sarandë.

“Kjo ndodhi i pasojë e një strategjie të mirëfilltë të departamentit të turizmit duke promovuar kulinarinë, sportin, artin, kulturën”, tha Çaçi.

Në Sarandë u organizuan koncerte të përmasave të mëdha me performanca që elektrizuan turistët dhe vendasit, si festivale, panaire, shfaqje ekspozita, duke gjallëruar mbrëmjet e qytetit bregdetar.

Kryebashkiaku Çaçi u shpreh se “këtë sezon na vizituan gjigantët botërorë të kroçerave si “Norwegian Cruise” dhe “Explorer of the sea””.

Ai vuri në dukje se “ky është viti ku sistemuam plazhet tona publike dhe pastruam çdo cep të qytetit. U vendosën 100 çadra dhe 200 shezlongë në plazhet publike për turistët”, transmeton ATSh.

“Saranda 2023 është qyteti i rritjes dhe mundësive, destinacioni numër një në Shqipëri, destinacioni i medieve dhe revistave ndërkombëtare dhe shifrat flasin vetë. Por, përtej kësaj, është mikpritja e secilit prej banorëve të qytetit që e bën Sarandën të veçantë”, tha Çaçi.

I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, Saranda është e rrethuar nga kodra dhe përballë saj ndodhet ishulli grek i Korfuzit. Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit kuriozon turistët e shumtë me historinë e tij mijëravjeçare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat