MKAM në Korçë, 7 vepra janë duke u trajtuar në laboratorin e restaurimit

Shqipëria

MKAM në Korçë, 7 vepra janë duke u trajtuar në laboratorin e restaurimit

Më: 21 tetor 2023 Në ora: 07:47
Korçë

Shtatë vepra janë duke u trajtuar në laboratorin e restaurimit të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë. Kjo bëhet me dije nga vetë muzeu në Korçë, që shprehet se në këtë laborator puna vijon pa u ndalur. “Në laboratorin e restaurimit të Muzeu i Artit Mesjetar puna për restaurimin dhe konservimin nuk ndalon!

Aktualisht janë duke u trajtuar 7 vepra nga specialistët restauratorë”, thuhet nga muzeu në faqen e tij në rrjete sociale.  MKAM ka publikuar në faqen e tij dhe veprën “Krishti i Gjithpushtetshëm" (Pantokrator)IN 2210, me origjinë nga kisha e Shën Marisë , Stratobërdhë, Korçë. Ikona është pikturuar në vitin 1761 nga Konstandin Zografi. Në të paraqitet Krishti Pantokrator me një himation ngjyrë të gjelbër të errët dhe hiton të kuq. Në dorën e majtë mban një ungjill të hapur dhe me dorën e djathtë bën gjestin e bekimit.

Koka e Krishtit rrethohet nga një aureole e realizuar me puntim dhe kryqi me shkronjat janë pikturuar me ngjyrë të kuqe. Nënpikturimi i pjesëve të mishta është bërë me tone të errëta dhe lëkura me okra të ngrohta. Gjithë kuadri është pikturuar me mjeshtëri të lartë artistike.

Deri në përfundim të procesit të restaurimit do të plotësohet edhe me më shumë informacion mbi këtë vepër nga studiuesit e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë, u përurua më 24 prill 1980.

Ai është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Fondi i tij ka objekte kulti e arti, kryesisht ikona e më pak punime guri, druri, metali e tekstili të krijuara nga mesjeta e hershme deri në fillim të shek. XX prej artistësh anonimë e të mirënjohur, nga treva të ndryshme të vendit.

Në sallën kryesore janë vendosur një koleksion ikonash dhe objekte nga më të mirat, krijuar në shekuj e që pasqyrojnë momente të ndryshme të zhvillimit të ikonografisë shqiptare dhe përfaqësuesit kryesorë të tyre.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat