Studentët e mjekësisë në Tiranë ndërpresin bojkotin e mësimit, Universiteti pranon kërkesën e tyre

Shqipëria

Studentët e mjekësisë në Tiranë ndërpresin bojkotin e mësimit, Universiteti pranon kërkesën e tyre

Më: 30 tetor 2023 Në ora: 12:47
Foto nga vendi i ngjarjes

Universiteti i Mjekësisë në Tiranë pranon kërkesën e studentëve. Që do të thotë se studentëve nuk do t’u jepet një kontratë për të firmosur, derisa Gjykata Kushtetuese të thotë fjalën përfundimtare nëse ligji që i detyron ata të qëndrojnë pesë vite në Shqipëri, është apo jo në shkelje të Kushtetueses.

Gjithashtu, edhe ato që refuzojnë kontratët nuk do duhet të paguajnë tarifën prej 250 mijë lekësh në vit.

Ky vendim erdhi pas një takimi që pati një përfaqësi prej 8 studentëve me rektorin e Universitetit, Arben Gjata për gati 2 orë. Për rrjedhojë, studentët kanë bërë me dije se janë gati që të kthehen në auditorë. Ndërkohë, kanë marrë garanci nga ana e rektorit Gjata që orët e humbura do kenë mundësi për t’i zëvendësuar.

“U diskutuan ato 3 kërkesat tona, të merrnim garanci që GJK të japë vendimin e saj dhe ne të mos na paraqitet kontrata. Na dha garanci për këtë, ne do kemi mundësi që të kthehemi lirshëm në auditorë. Do të shkojmë që nesër në auditorë”, tha një student.

“Kjo ne na mjafton për të kuptuar që studentët kanë bojkotuar dhe mund të kthehet lirshëm në mësim, në rast se nuk do të mbahet fjala e dhënë do rikthehemi në bojkot. Gjetëm mirëkuptim si mes njëri-tjetrit dhe nga pala e të tjerëve”, tha një tjetër.

Ato janë optimistë se Gjykata Kushtetuese do të japë një vendim pozitiv.

“Mendojmë që Gjykata Kushtetuese do jetë në favorin e studentëve”, tha një prej përfaqësuesve të studentëve.

Përtej garancisë të marrë nga Universiteti, ato këmbëngulin për një takim me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

“Ministrja duhet të përballet me këto studentë që i ka lënë rrugëve”, thanë studentët.

Pas gati 5 javësh bojkot, studentët e mjekësisë kanë gjetur një zgjidhje.

Vendimet

1. Garanci që nuk do firmoset asnjë kontrate deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

2. Do përgatitet një plan për zëvendësimin e orëve të humbura, i cili pritet të publikohet ditën e hënë të javës që vjen.

3. Do këtë edhe një takim me Ministrinë e Arsimit, por nuk ka një konfirmim final për këtë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat