“Kuvendi kalon online përmes një vendimi të kontestueshëm”, Ekspertët për BIRN: Mazhoranca të sqarojë me argumente pse situata aktuale është e jashtëzakonshme

Shqipëria

“Kuvendi kalon online përmes një vendimi të kontestueshëm”, Ekspertët për BIRN: Mazhoranca të sqarojë me argumente pse situata aktuale është e jashtëzakonshme

Më: 6 nëntor 2023 Në ora: 18:00
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla

Kuvendi i Shqipërisë publikoi të hënën pasdite një vendim të Konferencës së Kryetarëve të marrë më 1 nëntor për zhvillimin e mbledhjeve online të komisioneve parlamentare, një vendim që kontestohet nga opozita si i paligjshëm. “Për shkak të situatës së krijuar, mbledhjet e komisioneve parlamentare dhe organeve të tjera të Kuvendit mund të zhvillohen online…,” thuhet në pikën 4 të vendimit të publikuar në faqen e Kuvendit.

Por para se vendimi të bëhej publik, komisionet parlamentare bënë disa mbledhje online vetëm me praninë e deputetëve socialistë, pasi deputetët e opozitës tentuan të bllokonin zhvillimin e tyre fizikisht në shenjë proteste për rrëzimin e disa kërkesave për komisione hetimore dhe përfaqësim në komisionin e reformës zgjedhore.

Vendimi për zhvillimin e mbledhjeve online u mor pa praninë e opozitës. Vetëm pjesa e parë e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve ishte publike, ndërkohë që në njoftimin e Kuvendit të kësaj date nuk përmendej ky vendim, por vetëm vendimet për kalendarin e shqyrtimit të projekt-buxhetit dhe draft-programin e punimeve të Kuvendit për periudhën 6 nëntor -24 nëntor 2023.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN për vonesën e publikimit të vendimit dhe për argumentimin ligjor ku është bazuar, ndërsa shefi i saj kabinetit, Kosta Bajraba i tha BIRN se “publikimi do të bëhet sipas rregullores”, por nuk dha përgjigje për bazën ligjore. Disa deputetë të Partisë Demokratike e kontestuan vendimin si të pabazuar në ligj dhe si tentativë për të shuar zërin e opozitës në Kuvend. Ish-kryeministri Sali Berisha që drejton aktualisht grupimin më të madh opozitar e cilësoi parlamentin “klandestin”.

“Sot parlamenti i Shqipërisë funksionon në Zoom, i cili parashihet në gjendje të jashtëzakonshme dhe në pandemi, asnjëherë tjetër,” tha ai para gazetarëve të hënën. Ndërsa sipas nënkryetares së Komisionit të Ligjeve, Dhurata Çupi, rregullorja e Kuvendit përcakton se komisionet parlamentare i zhvillojnë mbledhjet online vetëm në rastet e masave të jashtëzakonshme. “Përkatësisht gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme apo fatkeqësisë natyrore (neni 5). Zhvillimi i mbledhjeve online vendoset me mirëkuptim nga Konferenca e Kryetarëve (neni 6),” shpjegoi Çupi.

Sipas Çupit, në njoftimet që sekretaritë e komisioneve kanë nisur për deputetët nuk citohet asnjë vendim dhe asnjë bazë ligjore se pse mbledhjet po thirren online. Ajo pretendoi se mazhoranca socialiste, “në shkelje flagrante të Rregullores së Kuvendit dhe pa vendim të Konferencës së Kryetarëve, ka vendosur zhvillimin e mbledhjeve të komisioneve parlamentare online, me qëllim të vetëm shuarjen e zërit të opozitës në Parlament”. Për ekspertët e politikës, situata e krijuar nuk përbën një ‘situatë të jashtëzakonshme’ dhe mbledhjet online cenojnë integritetin dhe besueshmërinë e Kuvendit.

Afrim Krasniqi, drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike, një organizatë që monitoron punën e Kuvendit, tha se vendimi i Konferencës së Kryetarëve duhej të bëhej publik që në momentin kur u mor dhe duhej të kishte argumentuar se pse situata aktuale është e jashtëzakonshme, si ajo e pandemisë. “Mbledhjet online parashikohen në situatë me të vërtetë të jashtëzakonshme, por në rastin aktual nuk kemi të bëjmë me një të tillë, kemi të bëjmë me një konflik politik, i cili zgjidhet me mjete politike,” tha Krasniqi.

Sipas tij, në raste të jashtëzakonshme kufizohen dhe një sërë lirish që lidhen me parlamentin, por në rastin aktual asnjë prej këtyre standardeve nuk mund të devijohen nga detyrimi i parlamentit për të qenë transparent dhe llogaridhënës. “Mbledhjet nuk mund të bëhen vetëm për një parti për të votuar aktet në mënyrë formale,” theksoi Krasniqi, – duke shtuar se, “mbledhjet e komisioneve janë për pyetje, debat dhe për të ushtruar transparencë në vendimmarje dhe në kontrollin kushtetues parlamentar, gjë që s’mund ta bëjnë komisionet në mbledhje online”.

Sipas tij, shumica e kërkesave të opozitës lidhen me komisionet hetimore, për të cilën vetë Kuvendi mund të inicojë dërgimin në Gjykatë Kushtetuese, apo reformën zgjedhore për të cilat parlamenti vetë mund të ofrojë zgjidhje duke ofruar mundësi përfaqësimi të gjithë aktorëve duke zgjeruar të drejtën e vetos vendimmarrëse.

Për sa kohë mungon vullneti politik, Krasniqi mendon se palët po i shfrytëzojnë këto incidente për interesat e tyre. “Mazhoranca për të përfituar nga kriza e opozitës dhe për të avancuar kontrollin e saj të plotë mbi jetën politike të vendit, opozita për të tërhequr vëmendjen nga proceset që po ndodh në SPAK dhe duke keqpërdorur grupin parlamentar,”shtoi ai. Praktika e mbledhjeve online të komisioneve u vendos për herë të parë në vitin 2020 kur vendi u përfshi nga pandemia e Covid-19 dhe qeveria shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat