Për festa jashtë vendit/ Prej një muaji kanë nisur prenotimet për udhëtimet e nëntorit

Shqipëria

Për festa jashtë vendit/ Prej një muaji kanë nisur prenotimet për udhëtimet e nëntorit

Më: 19 nëntor 2023 Në ora: 12:20
Tiranë

Festat e nëntorit po afrojnë dhe ndonëse vendi fillon e vishet me ngjyrat kuq e zi, për të festuar 111 vjetorin e pavarësisë, këto ditë duke i bashkuar dhe me fundjavën, shihen edhe si një mundësi e mirë për të bërë pushime.

Ndaj prenotimet kanë nisur që prej një muaji për të kapur dhe ofertat më të mira.

“Shqiptarët kanë rreth një muaj që kërkojnë dhe prenotojnë për festat e nëntorit. Kanë rreth një muaj dhe po vazhdojnë se zakonisht shqiptarët i lënë rezervimet për momentin e fundit. Shqiptarët pjesën e Ballkanit e kanë ezauruar dhe tani po fillojnë të vizitojnë më shumë dhe preferojnë pjesën e Evropës perëndimore”, tha Fjorida Zani-agjente turistike.

Destinacionet evropiane duket se janë më të kërkuarat momentalisht nga ata shqiptarë, të cilët zgjedhin që festat t’i kalojnë duke vizituar vende të reja.

“Çmimet e paketave fillojnë nga 300-400 euro dhe ditët e qëndrimit janë 3-4 netë. Destinacionet kryesore janë Roma, Praga, Lisbona, Madridi e shumë kryeqytete të tjera evropiane”, u shpreh ajo.

Por jo vetëm Evropa, ashtu si dhe në vitet e kaluara, vendet e rajonit vijojnë të kenë numër të lartë prenotimesh, kryesisht nga grupe të organizuara.

“Dhe turet në rajon nuk kanë mbetur mbrapa sepse janë lehtësisht të aksesueshme, mund të shkojnë për një natë dy ditë, siç janë Mali i Zi, Maqedonia por dhe brenda Shqipërisë ka pasur rezervime sepse paketat janë më të lira dhe transporti dhe koha është më e aksesueshme për ti arritur këto destinacione”, deklaroi tha Fjorida Zani-agjente turistike.

Në kryeqytet për herë të parë më 28 nëntor, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, do të zhvillohet Parada e Shqiptarëve, me pjesëmarrjen e shqiptarëve nga të gjitha qytetet shqipfolëse të rajonit. Aktivitetet do të vijojnë deri në mbrëmje ku do të mbahet dhe një koncert festiv.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat