Lubonja shpërthen për çështjen “Berisha”: Regjimi po merr më shumë fuqi

Shqipëria

Lubonja shpërthen për çështjen “Berisha”: Regjimi po merr më shumë fuqi

Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 23:49
Analisti Fatos Lubonja

Analisti Fatos Lubonja, përmes interviste televizive ka folur lidhur me zhvillimet e fundit rreth çështjes së ish-kryeministrit Sali Berisha në SPAK.

Lubonja u shpreh se rasti i Berishës është një goditje e pabarabartë duke e krahasuar atë me rastin e ish-ministrit Saimir Tahiri, për të cilin rikujtoi se u kërkua miratimi i Kuvendit për heqjen e pasaportës së tij gjatë hetimit.

Sipas tij ajo që është më e rrezikshme në kontekstin e kësaj çështjeje është se “regjimi po merr më shumë fuqi dhe po eliminohet opozita” në vend.

“Heqja e pasaportës iu kërkua Kuvendit në rastin e Saimir Tahirit, edhe pse ishte një organ tjetër, jo SPAK asokohe. Në një rast kanë vepruar ashtu dhe në një tjetër marrin kompetencë ndryshe, çka tregon se kemi të bëjmë me një goditje të pabarabartë.

Për firmën që ka dhënë Edi Rama nuk thuhet asgjë, ndërsa për Berishën kanë hapur gjithë kontekstin politik, ku një firmë e Këshillit të Ministrave i vendoset atij. Po t’i hyjmë asaj se Berisha si person, nuk mund të mohohet që ka pasur korrupsion atëherë, por megjithatë më e rëndësishme është ajo që ka të bëjë nëse kjo po bëhet për drejtësinë apo për të rritur padrejtësinë.

Këtu disa thonë se Berishës ia bëjnë mirë se këtë ka bërë me kundërshtarët si me Fatos Nanon. Megjithatë gjëja më e rëndësishme është se po i bëhet mirë apo keq Shqipërisë me këtë goditje. Po bëhet më shumë drejtësi, apo ky regjim po merr më shumë fuqi dhe po eliminon opozitën? Kjo për mendimin tim është më e rrezikshme.

Mos harroni se ka një fenomen që duhet të ndalemi më shumë. Po të shohësh procesin ndaj Berishës, ka të bëjë me kthimin e një prone brenda familjes. Nuk është ky korrupsioni më i madh në kohën e Berishës, korrupsionet më të mëdha janë bërë me ata oligarkët e famshëm. Këtë pres unë nga SPAK, por nuk hapen ato”, u shpreh ai mes të tjerash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat