Seanca për zëvendësimin e masës ndaj Berishës më 26 Dhjetor, SPAK kërkon “arrest shtëpie”

Shqipëria

Seanca për zëvendësimin e masës ndaj Berishës më 26 Dhjetor, SPAK kërkon “arrest shtëpie”

Më: 22 dhjetor 2023 Në ora: 15:20
Sali Berisha

Gazetarja e Klan News Glidona Daci bën me dije se sapo ka mbërritur në Gjykatën e Posaçme zarfi me kërkesën për zëvendësim të masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Mësohet se seanca e radhës për çështjen e kryedemokratit do të mbahet më datë 26 Dhjetor në orën 10:00. Daci raporton po ashtu se SPAK kërkon masën e arrestit në shtëpi për Berishën.

Njoftimi zyrtar për seancën:

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 22.12.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Zëvendësimin e masës së sigurimit personal për personin nën hetim Sali Berisha, si i dyshuar për figurën e veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

2. Bazuar në nenin 260 pika 4 të K.Pr.Penale, seanca gjyqësore për shqyrtimin e kësaj kërkese do të zhvillohet më datë 26.12.2023 ora 10:00. Tiranë, më datë 22.12.2023

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Kujtojmë se në seancën plenare të së Enjtes, me 75 vota pro Kuvendi i hoqi imunitetin e deputetit Berishës, duke i hapur rrugë SPAK-ut për ashpërsimin e masës ndaj tij.

Berisha e kundërshtoi këtë vendim duke e cilësuar si “hakmarrje politike” dhe duke paralajmëruar se PD do ngrejë padi penale ndaj dy prokurorëve të SPAK. Pas mbledhjes së gjatë në selinë blu, ai deklaroi para gazetarëve se është “më i fortë se kurrë” dhe se me çështjen e tij do merren avokatët.

Berisha ka thënë se nuk i druhet një arresti shtëpiak, pasi sipas tij gjithë procesi gjyqësor është kryer në shkelje të rëndë të Kushtetutës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat