Shantazhonte për disa muaj një 29-vjeçar në TikTok duke i keqpërdorur fotot, në pranga 32-vjeçari

Shqipëria

Shantazhonte për disa muaj një 29-vjeçar në TikTok duke i keqpërdorur fotot, në pranga 32-vjeçari

Më: 6 janar 2024 Në ora: 14:09
Foto ilustrim

Kanosi për disa muaj, një 29-vjeçar, në rrjetet sociale, për të përfituar prej tij shuma parash, që të mos i keqpërdorte fotot e tij dhe të familjarëve, kapet dhe vihet në pranga 32-vjeçari.

Sekuestrohen 2 celularë.

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacionit se një shtetas ishte kanosur nëpërmjet rrjeteve sociale, për dhënie pasurie, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjobvënia”, të ndjekur me metoda proaktive, për identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorit të këtij rasti.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Personit dhe pasurisë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Elbasan, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin A. S., 32 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

32-vjeçari ka shantazhuar për disa muaj, nëpërmjet rrjetit social “Tik-Tok”, një 29-vjeçar, se nëse ky i fundit nuk do t’i jepte para, 32-vjeçari do t’i përdorte fotografitë e 29-vjeçarit dhe të familjarëve të tij, për të krijuar profile false në rrjetet sociale.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat