E-Albania jashtë funksionit deri të dielën, qytetarët: Është difektoz dhe na sorollat

Shqipëria

E-Albania jashtë funksionit deri të dielën, qytetarët: Është difektoz dhe na sorollat

Më: 2 shkurt 2024 Në ora: 16:07
Foto ilustrim

Platforma e-Albania është sërish jashtë funksionimit. Pas hakerimit të faqes së INSTAT nga hakerat iranianë, AKSHI njoftoi zyrtarisht se shërbimet e e-Albania nuk do të jenë të akseseushme nga qytetarët nga ora 20:00 e datës 2 shkurt, deri më 4 shkurt, të dielën në orën 10:00 paradite.

Mosfunksionimi i përsëritur i portalit qeveritar sjell pengesa për qytetarët që duan të marrin shërbime të ndryshme në zyrat shtetërore. Sipas tyre problemet e funksionimit të platformës janë kthyer në “normalitet” ndërsa atyre iu mohohet marrja e shërbimeve dhe dokumenteve zyrtarë që iu duhen.

“Është difektoze dhe ka sorrollatje. Kjo përkthehet që nuk e ka kryer funksionin si duhet.”, tha një qytetar. Ndërkohë një tjetër tha se; “Herë ka herë nuk ka. Nuk po jep shërbim me te shpejte sesa me letra. Është difektoze, nuk jep rezultat, nuk ka dhënë rezultat, me shumë të pengon. Nëse nuk te punon kompjuteri jepua njerëzve me letra.”. Jo të paktë janë ata që ende paguajnë para te personat që dinë ta përdorin ose mbështeten tek ndihma që u japin fëmijët.

“Po kanë shumë nevojë po ku ta gjesh të drejtën, të vërtetën. Ca funksionale është ajo, ne nuk dimë t’i përdorim, mosha jonë edhe shumë si ne. Unë kam djalin por të tjerët paguajnë para dhe i plotësojnë.”, tha ajo.

Problemet në sistem kanë krijuar kaos dhe kosto edhe për bizneset. Sipas njoftimit në platformë në këto dy ditë do të punohet në kuadër të optimizimit të shërbimeve publike dhe infrastrukturave të tyre mbështetëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat