Rasti i trupit të Saimir Sulës i ardhur pa zemër në Shqipëri së shpejti në Strasburg, e motra flet për median spanjolle

Shqipëria

Rasti i trupit të Saimir Sulës i ardhur pa zemër në Shqipëri së shpejti në Strasburg, e motra flet për median spanjolle

Më: 13 shkurt 2024 Në ora: 14:41
Majlinda Sula

Familja e Saimir Sulës, të riut shqiptar i cili ndërroi jetë gjatë pandemisë në një spital në Spanjë, pas shumë proceseve gjyqësore, arriti që ta transferojë zemrën në Shqipëri, por nuk kanë mundur ende që ta bëjnë testin e ADN-së, ‘për mungesë provash’.

Familja u ka kërkuar autoriteteve shqiptare që të dërgojnë një mostër të zemrës në laboratorë të tjerë evropianë për analiza, por vendi ballkanik refuzon, ‘pa dhënë shpjegime të mëtejshme’, shkruan media spanjolle.

Përballë kësja situate, e motra e Saimirit, Majlinda Sula në një intervistë për median spanjolle ka thënë se do ta transferojnë çështjen në gjykatën e Strasburgut.

“Nuk kanë mundur ta ndajnë zemrën nga formalina, një kimikat që përdoret për të ruajtur organet dhe indet, sepse teknikisht nuk munden dhe kjo e ka bërë të pamundur kryerjen e testit”, denoncon motra që kërkon vetëm t’i japë fund makthit që po zgjat prej katër vitesh.

Sipas avokatit të familjes Carlos Sardinero, familja ka gjetur laboratorë në Bruksel dhe Vjenë në të cilat do të mund të kryenin testin për ADN-në e zemrës.

Në ditët në vijim familja do ta çojë çështjen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut si opsion i fundit pasi Gjykata Kushtetuese refuzoi ankesën e familjes për mbrojtje.

Saimir Sula ka 4 vite nën dhe, ndërsa motra e tij që kur mbërriti trupi në Shqipëri konstatoi se i mungonte zemra dhe vijon betejën për drejtësi. Pas insistimit të saj autoritetet në Spanjë thanë se gjetën në morg zemrën e Saimir Sulës në tetor të vitit 2022, dhe këtu nisi beteja e radhës e Majlindës për ta sjellë në Shqipëri. Zemra e Saimir Sulës iu dorëzua autoriteteve shqiptare më 15 korrik 2023, por ende s’i është bërë analiza e ADN-së.

31-vjeçari Saimir Sula humbi jetën më 9 maj të vitit 200 pasi shkoi me temperaturë në spital, për të kryer një test PCR, por nuk doli më prej atij spitali.

Prokuroria e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës ka regjistruar një procedim penal për veprën penale të dyshuar të blerjes dhe shitjes së paligjshme të organeve, parashikuar në nenin 89 i Kodit Penal Shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat