Zbardhen ndryshimet për bastet online, kush e jep licencën, në “lojë” edhe ministri i Brendshëm

Shqipëria

Zbardhen ndryshimet për bastet online, kush e jep licencën, në “lojë” edhe ministri i Brendshëm

Më: 16 shkurt 2024 Në ora: 08:00
Foto ilustrim

Ligji i lojërave të fatit që synon të legalizojë aktivitetin informal të basteve sportive, pas afro 6 muajve me debate, pësoi ndryshime në minutat ë fundit para miratimit në parlament. Gazeta “SOT” ka siguruar amendamentet, të cilat sjellin dy risi krahasuar me draftin e miratuar në Komision e Ekonomisë. Ndryshimi i parë ka të bëjë me faktin se çdo kontratë dhe subjekt që do të licencohet për Lotarinë Kombëtare, nuk do të miratohet nga qeveria dhe parlamenti. Këtë kompetencë do ta ketë komisioni i licencimit dhe drejtori i agjencisë së lojërave të fatit.

“Ndryshimi për bërjen efektive të licencës pas lidhjes së marrëveshjes, të bashkënënshkruar nga organi publik: Kryetari i Komisionit të Licencave dhe Drejtori i Përgjithshëm i AMLF si dhe subjektit të licencuar, siç u propozua në këtë amendament, shfuqizon parashikimin për miratimin e saj nga Kuvendi siç është aktualisht në ligjin bazë”.

Ndryshimi i dytë lidhet me faktin që pjesë e komisionit të licencimit do të jetë ministri i Brendshëm dhe jo ai i sportit. Duke marrë në konsideratë që aktiviteti i lojërave të fatit në të kaluarën menaxhohej nga eksponentë të botë së krimit, mazhoranca argumenton se prania e ministrit të Brendshëm jep më shumë garanci për verifikimin e figurës së subjekteve Përfaqësimi nga ministri i sportit me një anëtar në komisionin e licencave nuk duket se sjell ndonjë impakt të qenësishëm ndërkohë që për vetë rëndësinë e verifikimit të dokumentacionit provues dhe shoqërues për plotësimin e kritereve të licencimit, është e nevojshme për këtë komision që të ketë sa më shumë informacione verifikuese dhe provuese nga institucionet dhe organet e zbatimit të ligjit. Ndryshimet e propozuara në minutën e fundit më shumë se sa japin siguri për formalizmin e tregut që është dhe boshti i ligjit, duket se janë lëvizje për të kënaqur të gjitha palët e përfshira në këtë proces.

Tashmë mbetet për tu parë a do mundet dot qeveria të legalizojë një treg kaq kompleks, që qarkullon miliarda lekë në informalitet dhe me një historik të mbushur plot me pikëpyetje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat