PS tur anëtarësimesh të reja në Njësinë 5, Veliaj: Kthehemi me kokën lart se i kemi mbajtur angazhimet

Shqipëria

PS tur anëtarësimesh të reja në Njësinë 5, Veliaj: Kthehemi me kokën lart se i kemi mbajtur angazhimet

Më: 25 shkurt 2024 Në ora: 12:03
Foto nga takimi

Njësia 5 në kryeqytet ishte ndalesa e radhës e Drejtuesit Politik të PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, në vijim të fushatës së anëtarësive të reja në Partinë Socialiste. I shoqëruar edhe nga Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj dhe Elva Margariti, Veliaj theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në politikë për të rinjtë si një mundësi për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes.

“Përsa kohë që secili prej nesh, me veprimin ose mosveprimin e tij, është duke bërë politikë, atëherë pse mos ta bëjmë këtë në mënyrë të organizuar. Pse mos ta bëjë këtë si skuadër? Pse mos të aplikojmë parimin ‘një për të gjithë dhe të gjithë për një’, në një frymë që është skuadra jonë, është familja jonë, Partia Socialiste e Shqipërisë. Dua shumë që ta çojmë këtë punë deri në fund dhe për 100 organizata që kemi, të kemi 400 anëtarë të rinj, si çunat dhe gocat fantastikë që do marrin kartën sot”, deklaroi Veliaj.

Ai foli edhe për ato zëra, kryesisht analistë, që ankohen nëpër rrjete sociale. “Shoh disa prej këtyre analistëve që japin mend si duhet ta bëjë Edi Rama qeverinë, apo si duhet ta bëjmë ne bashkinë. Më vjen keq, në qoftë se ti nuk merr pjesë, mund të rrish tërë natën në televizor, pastaj në Facebook, bëhesh analisti i divanit dhe kolltukut, por kjo nuk ka asnjë peshë sepse ti vetë nuk e ushtron të drejtën tënde për të dhënë një mendim. Një person që bashkohet me një parti politike, nuk ka rëndësi me kë, tregon se është më shumë se thjesht një banor. Një qytetar merr pjesë te takimi me prindër në shkollë, një qytetar merr pjesë te asambleja e pallatit për fatet e pallatit dhe një super qytetar angazhohet politikisht, për të marrë pjesë te tavolina ku vendoset për fatet e vendit dhe për të ardhmen e vendit, të qytetit, të shtetit, të lagjes dhe komunitetit ku jeton”, shtoi më tej ai.

Veliaj nënvizoi se PS ka treguar në drejtimin e vendit dhe të bashkisë, që di të bëjë punë dhe të jetë pranë qytetarëve. “Sot në çdo njësi ka një hapësirë dinjitoze ku ti mund të bësh një mbledhje komunitare. Pra, fakti se në çdo njësi kemi holle të tilla, më bën të ndihem vërtet krenar. Jo se i kemi bërë të gjithë gjërat, se ndryshe politika do mbaronte, ndryshe nuk do kishte zgjedhje as në Zvicër, në qoftë se Zvicra i ka bërë të gjitha gjërat. Në asnjë vend nuk mjaftojnë gjërat sepse gjithmonë dalin nevoja të reja. Por, ne kthehemi me kokën lart, se një pjesë të madhe të angazhimeve tona, duke filluar nga gjërat madhore që janë ikona të Njësisë 5, si Kopshti Zoologjik apo Parku i Liqenit, si Parku Olimpik ose investime të tjera të shkollave, kopshteve dhe çerdheve deri te disa gjëra të vogla, siç është administrimi i pallatit dhe veshja me kapot, i kemi mbajtur premtimet tona”, u shpreh ai.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj u shpreh se vizioni i PS për Shqipërinë 2030 është ambicioz, që kërkon ndryshim të vazhdueshëm. “Njësia 5 tregoi se është socialiste, që e vlerëson Partinë Socialiste, që e vlerëson drejtimin e Partisë Socialiste, por neve këtë nuk mund ta bëjmë vetëm në fushata. Në kongresin e dhjetorit u vendos që partia duhet të kalonte një proces rienergjizimi. Ne kemi një vizion për Shqipërinë 2030 dhe vizioni jonë për Shqipërinë 2030 është një vizion ambicioz. Është një vizion, i cili kërkon ndryshim të vazhdueshëm dhe ndryshimin nuk ka pse të na e tregojnë rezultatet zgjedhore, ndryshimin duhet ta bëjmë përpara zgjedhjeve. Duhet ta bëjmë me qëllim që të jemi gati në momentin që do të vijnë zgjedhjet dhe do të duhet vetëm të tregojmë rezultatet”, tha Ibrahimi.

Ministrja shprehu bindjen se PS do të arrijë fitoren edhe në zgjedhjet e 2024. “Ju garantoj se me skuadrën e re, me drejtimin e kryetarit, Erionit, një shok, mik, vëlla, ne do t’ia dalim që edhe në zgjedhjet e ardhshme të garantojmë një fitore, e cila do të sjellë përmirësimin e vendit tonë”, tha Ibrahimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat