​Maqedonci: Baza ajrore e Kuçovës, ndikim strategjik në frenimin e atyre që rrezikojnë stabilitetin e Ballkanit

Shqipëria

​Maqedonci: Baza ajrore e Kuçovës, ndikim strategjik në frenimin e atyre që rrezikojnë stabilitetin e Ballkanit

Më: 5 mars 2024 Në ora: 08:55
Foto ilustrim

Mundësia e rikthimit të Shqipërisë në industrinë e armëve shihet pozitivisht nga Kosova, madje dhe si një mundësi konkrete bashkëpunimi mes dy vendeve.

Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, tha se investimi në këtë industri është tejet i nevojshëm, ndërsa theksoi se do të diskutohet mundësia e bashkëpunimit me ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi.

“Ne mirëpresim çdo zhvillim të industrisë së mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë”, theksoi Maqedonci.

“Ne në Kosovë po ndërtojmë konceptin e industrisë së mbrojtjes dhe shpresoj që dy ministrat e Mbrojtjes do ta thellojnë bashkëpunimin në këtë aspekt, veçanërisht në një kohë ku shihet një mungesë e municioneve në stoqet e vendeve shumë të mëdha të NATO-s si pasojë e luftërave të fundit dhe është e domosdoshme dhe e nevojshme”, tha Maqedonci.

“Ne me ministrin Peleshi do ta diskutojmë dhe këtë çështje siç kemi diskutuar dhe çështje të tjera në synimin e përforcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve”, nënvizoi Maqedonci.

I pranishëm në ceremoninë e çeljes së bazës ajrore taktike të Kuçovës, Maqedonci, tha se kjo bazë ajrore taktike i jep një peshë tjetër gjeostrategjike Ballkanit Perëndimor karshi influencave të Federatës Ruse.

“Së pari me të vërtetë ndihem jashtëzakonisht i nderuar që pata mundësi të marr pjesë në një ceremoni kaq të rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Në ceremoninë e hapjes së bazës ajrore të NATO-s këtu në Kuçovë, që është baza e parë e ajrore e NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

“Dhe me të vërtetë vlerësoj se pavarësisht se është bazë e operacioneve taktike, ka një impakt strategjik në frenimin e kundërshtarëve dhe atyre që rrezikojnë stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, por edhe në inkurajimin e të gjithë aleatëve dhe partnerëve për të përballur së bashku sfidat dhe kërcënimet e kohës”, nënvizoi Maqedonci.

“Kjo bazë tregon përcaktimin dhe vendosmërinë e NATO-s për të qenë prezent në Ballkanin Perëndimor, tregon përkushtimin që ka NATO për të sjellë në këtë aleancë dhe vende që s’janë ende pjesë e NATO-s, siç është Kosova. Kjo është shumë e rëndësishme për vetë faktin se një nga qëllimet kryesore të Federatës Ruse, dhe saktësisht të elementëve të Federatës Ruse në Ballkanin Perëndimor është destabilizimi i Ballkanit Perëndimor dhe minimi i integrimit të këtij rajoni në NATO dhe BE. Prandaj mesazhi është shumë e rëndësishëm, pasi prezenca e kësaj baze në Shqipëri është mesazh, tregues që Ballkani Perëndimor është pjesë e familjes së NATO-s”, përfundoi Maqedonci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat