Tensionet në Bashkinë e Himarës dhe komandimi i kryetares së re, reagon Fredi Beleri

Shqipëria

Tensionet në Bashkinë e Himarës dhe komandimi i kryetares së re, reagon Fredi Beleri

Më: 29 mars 2024 Në ora: 18:56
Fredi Beleri

Mes tensioneve të shumta, Blerina Bala, u zgjodh kryetare e komanduar e Bashkisë së Himarës, pas dorëheqjes së Jorgo Goros, i cili u arrestua me urdhër të SPAK.

Pas komandimin e Bala-s, ka reaguar kryetari i zgjedhur i kësaj Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i cili po ashtu ndodhet në burg dhe është dënuar me 2.6 vite për blerje votash.

Sipas Belerit, me zgjedhjen e kryetares së re është shkelur Kushtetuta dhe ai që u votua nga sovrani nuk lejohet të betohet.

Ai shprehet se ky lëmsh juridik është krijuar me kontributin e prokurorisë dhe gjykatës së posaçme kundër korrupsionit, të cilët nuk kanë kurajë t’i thonë ‘Jo’ kryeministrit Edi Rama.

Në reagimin e tij, Beleri nuk ka kursyer akuzat ndaj prefektit Vangjel Tavo, për të cilin thotë se në kundërshtim me ligjin, dje tregoi këshilltarëve si të mendonin dhe sot mori pjesë në mbledhjen e këshillit bashkiak për t`u siguruar që e kishin kuptuar drejt urdhrin e tij. Pa patur asnjë kompetencë, thotë Beleri, filloi sot fjalimet elektorale duke premtuar tituj pronësie.

Sipas tij, zgjidhja e vetme për këtë situatë është respektimi i Kushtetutës.

Reagimi i Fredi Belerit:

Një lëmsh juridik i pamundur për t’u zgjidhur. Lëmsh i krijuar me kontributin e prokurorisë dhe gjykatës së posaçme kundër korrupsionit, të cilët nuk kanë kurajë t’i thonë JO z. Rama.

Asnjë ligj dhe asnjë nen i Kushtetutës nuk e parashikon këtë që po ndodh në Bashkinë Himarë. Neni 61 i ligjit 139/2015 që trumbeton prefekti nuk zgjidh ndërprerjen e parakohshme të një mandati të mbaruar me kohë. Asnjë praktikë e mirë evropiane, të cilave z. Rama iu referua, nuk thotë se kryetari i bashkisë caktohet nga partia humbëse e zgjedhjeve për kryetar bashkie. Asnjë praktikë e mirë evropiane nuk parashikon të caktohet nga prefekti si kryetar bashkie një person që nuk është zgjedhur as këshilltar bashkiak, por është emëruar nga humbësi.

Shkelët Kushtetutën dhe atë që u votua nga sovrani nuk e lejuat të betohet. Në kundërshtim me ligjin, caktoni një kryetar të ri bashkie, siç edhe Prefekti e deklaroi, dhe e interpretoni ligjin ashtu siç ju intereson. Juve nuk ju intereson ligji, por ju intereson vetëm të mos betohet, qoftë edhe për një orë të vetme, ai që u zgjodh kryetar bashkie konform Nenit 109 të Kushtetutës. Për ju, ligji është thjesht një copë letër bakalli. Me gjasë, letër bakalli është edhe për z. Tavo, i cili në kundërshtim me ligjin, dje u tregoi këshilltarëve si të mendonin, sot mori pjesë në mbledhjen e këshillit bashkiak për t`u siguruar që e kishin kuptuar drejt urdhërin e tij. Pa patur asnjë kompetencë, filloi sot fjalimet elektorale duke premtuar tituj pronësie.

Zgjidhja e vetme është respektimi i Kushtetutës. Zgjidhja e vetme është të lejohet fituesi i zgjedhjeve të betohet. Është e vetmja gjë që mund t’i japë fund këtij kaosi ligjor dhe të ndalojë absurdin në Bashkinë Himarë, duke trajtuar banorët e kësaj bashkie në mënyrë të barabartë me çdo qytetar tjetër të kësaj Republike që ushtroi të drejtën e tij elektorale në zgjedhjet e datës 14 maj.

Dhionisios – Alfred Beleri

Kryetar i zgjedhur i Bashkisë Himarë

(sepse kryetari i bashkisë zgjidhet nga populli dhe jo nga vota e 15 njerëzve të trembur)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat