Nga vrasja e Pjerin Xhuvanit tek ekzekutimi i dyfishtë në Lushnjë, gazetarët “skanojnë” ngjarjet kriminale

Shqipëria

Nga vrasja e Pjerin Xhuvanit tek ekzekutimi i dyfishtë në Lushnjë, gazetarët “skanojnë” ngjarjet kriminale

Më: 11 prill 2024 Në ora: 07:15
Foto nga emisioni

Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin “burg për jetë” për Laert Haxhiun, i cili akuzohet për vrasjen e dyfishtë në Lushnjë.

Në “Ora e Fundit” në ABC News gazetari Ermal Vija tha se Leart Haxhiu ka qenë një nga pesë më të kërkuarit të Policisë së Shtetit, ndërsa nënvizoi se ai ka pretenduar se transferimi i tij në Shqipëri mund t’i rrezikojë jetën.

“Ka qenë nga pesë më të kërkuarit e Policisë së Shtetit. Ai është arrestuar në Greqi, dhe ishte në kërkim për disa ngjarje të rënda kriminale. Ka një sërë provash, pamje filmike që janë identifikuar nga hetuesit, kur është evidentuar që bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal, dosja është transferuar në Prokurorinë e Posaçme. Laert Haxhiu është i përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale. Laert Haxhiu fillimisht është arrestuar nga policia greke si person me dokumente të falsifikuara, por më pas ka rezultuar person me precedent kriminal. Ai pretendon se transferimi në Shqipëri mund t’i rrezikojë jetën për shkak të përplasjeve që ka pasur me bandën e Aldo Bares”, tha gazetari Ermal Vija.

Haxhiu është duke u gjykuar ne mungesë për atë qe njihet si Masakra e Lushnjës e ndodhur në shtator te 2017. Në atë ngjarje humbën jetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Gjithashtu Laert Haxhiu akuzohet nga drejtësia shqiptare se bashkë me disa persona të tjerë, është autor i 18 krimeve në Shqipëri, përfshi 4 vrasje dhe disa shpërthime me tritol.

Një tjetër ngjarje për të cilën u diskutua në “Ora e Fundit” në ABC News, ishte edhe vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan. Pasi së fundmi është kërkuar rindërtimi i skemës së krimit.

Por Gjykata e Apelit ka shtyrë seancën për të plotësuar akt ekspertizën nga grupi i 3 ekspertëve për në datën 7 Maj, për shkak se ekspertët kanë kërkuar që të shtyhet seanca pasi për ta nuk ka qenë e mjaftueshme.

Gazetari Ervin Leka tha se vendimi për shtyrjen është marrë nga gjykata e Apelit, pasi ka rezultuar e paplotë për shkak se mungojnë pamjet filmike.

“Rindërtimi i kësaj skeme sipas gjykatës së Apelit ka rezultuar i paplotë. Duke mos pasur edhe perimetrat e saktë të distancës apo këndit të sulmit, është bërë një shtyrje e afatit deri më 7 maj që të bëhej një plotësim i skemës”, tha ai.

Gjithashtu gazetari Leka shtoi se rindërtimi i skemës kërkon që të zbulojë skemën dhe mënyrën se si është vrarë Pjerin Xhuvani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat