KMDLNJ në Tiranë, vizitë Burgut 325 të grave

Shqipëria

KMDLNJ në Tiranë, vizitë Burgut 325 të grave

Më: 3 nëntor 2016 Në ora: 10:29
Ilustrim

Një ekip i KMDLNj –së, në kuadër të bashkëpunimit rajonal për të drejtat e personave të privuar nga liria dhe parandalimin e torturës, ishte për një vizitë pune dhe monitoruese në Shqipëri.

Gjatë kësaj vizite ekipi i KMDLNj-së u takua me Ylli Manjani, ministër i Drejtësisë me të cilin bisedoi për trajtimin e personave të privuar nga liria, shtetas të Shqipërisë që e vuajnë dënimin në Kosovë si dhe për shtetasit e Kosovës që e vuajnë dënimin në Shqipëri.

“KMDLNj vlerësoi se këtyre shtetasve, në paraburgim apo në vuajtje të dënimit u shkilen të drejtat elementare e personave të privuar nga liria dhe kërkoi që ata, pavarësisht ku i kanë kryer veprat penale, dënimin duhet ta vuajnë në vendin e tyre prandaj kërkoi nga ministry Manjani që kjo e drejtë të respektohet. Ministri Manjani u pajtua me këtë por ofroi argumente se kjo çështje, për momentin nuk është e realizueshme për shkak të mbipopullimit të burgjeve të Shqipërisë dhe kërkesës të disa shteteve të BE – së t’i pranojë shtetasit e dënuar shqiptarë numri i të cilëve nuk është i vogël”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, në takim me Drejtorin e Drejtorisë së Burgjeve, z. Miklovan Kopani, KMDLNj  e njoftoi për misionin e KMDLNj – së për monitorimin e të drejtave të njeriut të  personave të privuar nga liria në Kosovë dhe vendet e rajonit duke u angazhuar për përmirësimin e këtyre të drejtave. Drejtori i Burgjeve të Shqipërisë,  z. Miklovan Kopani e informoi KMDLNj – në për gjendjen dhe trajtimin e personave të privuar në Shqipëri, përparimet që janë bërë dhe sfidat me të cilat po përballen siç janë rritja e kriminalitetit, pengesat si pasojë e mungesës së fondeve dhe mungesa e kapaciteteve të vendosjes së atyre që e kanë shkelur ligjin.

KMDLNj u takua edhe Institucionin e Avokatit të Popullit si dhe kryesuesin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës në Shqipëri , Alfred Koçobashi, me të cilët biseduan për të drejtat e njeriut në Shqipëri dhe Kosovë si vazhdimin e bashkëpunimit midis dy institucioneve në të ardhmen me theks të veçantë në fushën e parandalimit të torturës për personat e privuar nga liria.

Pastaj, KMDLNj u takua me drejtoreshen e Burgut për femra 325 (Ali Demi) Jakaj dhe stafin e saj e cila e informoi KMDLNj – në për gjendjen në këtë institucion ku mbahen femrat e paraburgosura dhe të dënuara e që është i vetmi në Shqipëri si dhe përpjekjet që atyre t’u ndihmohet të integrohen në shoqëri , pasi të kenë vuajtur dënimin.

Në të gjitha takimet, KMDLNj prezantoi gjendjen e të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe gjendjene personave të privuar nga liria në veçanti në Kosovë sikur që edhe ua dorëzoi Monografinë për Krime Lufte në Kosovë dhe Raportin e vitit 2015 për monitorimin e qendrave të paraburgimit dhe shtëpive Korrektuese në  Kosovë mbështetur nga KFOS.

Këtë vizitë në kuadër të bashkëpunimit rajonal e mbështet KFOS kurse përkrahje logjistike i dha Ambasada e Kosovës në Shqipëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat