Flet shqiptari që do të punojë me presidentin amerikan: Jemi të sigurt me Trumpin

Shqipëria

Flet shqiptari që do të punojë me presidentin amerikan: Jemi të sigurt me Trumpin

Më: 19 nëntor 2016 Në ora: 23:00
Mark Gjonaj dhe Barack Obama

Anëtari shqiptar i Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut Mark Gjonaj kërkoi që të ngrihet një Këshill i Diasporës i pandikuar politikisht.

Gjonaj është anëtar i Asamblesë së Nju Jorkut për Partinë Demokratike dhe referuar fitores së Donald Trumpit në krye të Shtëpisë së Bardhë në SHBA, ai thotë se nuk ka asgjë për tu shqetësuar në raport me politikat e tij ndaj emigrantëve.

 “Unë e respektoj vullnetin e popullit dhe Trump është presidenti i Amerikës. Pres me padurim të filloj të punoj me të, e të sigurohem që shteti të ketë drejtimin e duhur. Ne kemi marrëdhënie shumë të mira, sukseset e shqiptarëve atje janë të shumta dhe ne jemi një pjesë që e bën Amerikën një vend të mrekullueshëm. Shqiptarët nuk kanë pse të shqetësohen pasi janë të sigurte”- u shpreh Gjonaj.

I ftuar në Samitin e Diasporës që për herë të parë mbahet në Tiranë duke mbledhur 800 anëtarë të diasporës shqiptare nga 40 vende të botës, Gjonaj tha se shqiptarët që jetojnë në SHBA kanë potenciale të mëdha dhe janë duke ndikuar në zhvillimin e Amerikës.

“Shqiptarët në Amerikë janë të vendosur, të arsimuar dhe të fokusuar për të bërë çdo ditë më të mirën në profesionet e tyre. Janë ata që po e bëjnë Amerikën një vend më të mirë. Komuniteti shqiptar njihet jo vetëm në qytetin e Nju Jorkut, por edhe në shtetin e Nju Jorkut, për kontributin e madh që ka dhënë dhe jep çdo ditë. Flasim për më shumë se gjysëm milionë shqiptarë që po japin ndihmesën e tyre në zhvillimin e vendit”, - tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat