Meta: Qeveria, më përgjegjëse për dialogun me opozitën! Ja pse firmosa shtetësinë për Janullatos…

Shqipëria

Meta: Qeveria, më përgjegjëse për dialogun me opozitën! Ja pse firmosa shtetësinë për Janullatos…

Më: 7 janar 2018 Në ora: 11:05
Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta ka drejtuar një apel në drejtim të klasës politike për të bërë gjithçka që është e mundur në mënyrë që Shqipëria në qershor të 2018 të arrijë hapjen e negociatave me BE-në. Sipas Kreut të Shtetit, nëse kjo mundësi humbet, atëherë do të ishte jo vetëm një humbje kohe, por edhe një zhgënjim për shqiptarët, veçanërisht për brezin e ri.

Në një intervistë për TV Korça, gjatë vizitës së zhvilluar dje në qytetin jug-lindor të vendit, Presidenti Meta ka vënë theksin në bashkëpunimin që duhet të ketë mes qeverisë dhe opozitës për realizimin e reformave kyçe dhe proçesin e integrimit.

“Duhet të ketë patjetër. Kjo është përgjegjësi e dyanshme, është përgjegjësi e qeverisë sepse përgjegjësinë më të madhe e ka qeveria gjithmonë. Pa dyshim është dhe një përgjegjësi e opozitës sepse ajo është opozita e Shqipërisë dhe ajo duhet të jetë në shërbim të vendit dhe nuk është thjesht në funksion të një kundërvënie ndaj qeverisë për çdo rast. Ka raste kur debatet janë të domosdoshme dhe kur debatet nuk krijojnë pasoja për vendin. Kur bëhet fjalë për çështje më të mëdha siç është reforma në drejtësi, e cila ka të bëjë me institucione tepër të rëndësishme kushtetuese dhe reformë që duhet të japë patjetër rezultate pozitive, kjo është detyrim i të dy palëve që të ulen dhe të zbatojnë me korrektësi ato ndryshime kushtetuese që janë miratuar me konsensus larg nxitjes së konfliktualitetit. Për t’u konfliktuar është gjëja më e thjeshtë, por detyra për çështje të tilla është për t’u marrë vesh, jo për t’u konfliktuar pa fund”, tha Meta.

Në vijim ai shtoi se është  gjithmonë në dispozicion të nxitjes të frymës së bashkëpunimit dhe të lualitetit për çështje më të mëdha që janë në interes të vendit. “Për çështje të tjera të ditës, vendi ka dy palë; ka dhe qeveri, ka dhe opozitë dhe sigurisht që është shumë mirë që kemi opozitë se sa mos kemi. Kemi provuar pa opozitë 50 vite”, shtoi Presidenti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat