Ristani nuk ndalet: Policia e degraduar, kanabizoi vendin

Shqipëria

Ristani nuk ndalet: Policia e degraduar, kanabizoi vendin

Më: 16 janar 2018 Në ora: 20:29
Ish-deputeti i PD Arben Ristani

Ish-deputeti i PD Arben Ristani ka reaguar, duke hedhur akuza në drejtim të Policisë së Shtetit, teksa ka theksuar se policia ka degraduar dhe se në këtë periudhë vendi është kanabizuar nga veriu në jug. Ristani ka nënvizuar gjithashtu se vendi ka pasur në krye të Ministrisë së Brendshme një person, i vënë nën akuzë si pjesëtar i grupeve kriminale dhe i përfshirë në trafik droge dhe armësh.

Statusi i Ristanit:

Ministria e Brendshme quan dhunë verbale ndaj Policisë së Shtetit, reagimet e PD për situatën e rendit dhe sigurisë në vend dhe situatën e krimit brenda policisë së shtetit. Të thuash të vërtetën nuk është dhunë verbale. Është verb, që qoftë edhe me ashpërsi apo forcë, kërkon të zgjojë te njerëzit e ndershëm të policisë së shtetit, ndjenjën e detyrës, respektimit të ligjit dhe dashurisë për këtë vend.

Askush nuk do të dëshironte që Ministri i Brendshëm i këtij vendi të ishte nën akuzë si pjesë e grupeve kriminale që kontrollojnë trafikun e drogës dhe armëve. Askush nuk do donte drejtuesit më të larte të policisë së shtetit nën arrati nga frika e ligjit, askush nuk kënaqet që mbi 100 oficerë policie të identifikohen nga shërbimet sekrete si bashkëpunëtorë në kanabizimin e vendit. Të gjithë duam një Shqipëri ndryshe, pa qeveri, parlament, polici, administratë e pushtet lokal të kriminalizuar. Të vërtetat duhen thënë edhe kur duket sikur përplasen në vesh të shurdhër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat