Shqipëria paguan pensionin më të ulët në rajon

Shqipëria

Shqipëria paguan pensionin më të ulët në rajon

Më: 20 mars 2018 Në ora: 10:43
Ilustrim

Pensioni mesatar shënoi rritje me 3.8 për qind vitin e kaluar, duke arritur në 12,167 lekë në krahasim me 11,714 lekë që ishte në vitin 2016.

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pensioni mesatar në qytet arriti në 15,527 lekë nga 14,873  lekë që ishte më 2016, ndërsa pensioni mesatar në fshat arriti në 8,808 lekë nga 8,556 lekë që ishte në vitin paraardhës. Rritja ka ardhur për shkak të indeksimit të pensioneve në vitin 2017 dhe gjithashtu edhe për shkak se gjithnjë e më shumë rritet masa e përfitimit për pensionistët e rinj që i shtohen skemës.

Pensioni mesatar në rang vendi ishte 11,714 lekë, ose 96 euro më 2016. Sipas një studimi që Bashkimi Europian ka bërë për reformat e pensioneve në Ballkan pas viteve 2011 ka referuar se pensioni mesatar në rajon (Serbi, Mali i Zi, Maqedoni, Bosnjë) ishte 240 euro në fillim të 2012, shifër kjo 2.5 herë më e lartë se ajo e Shqipërisë, pa marrë në konsideratë indeksimet e mëvonshme që mund të kenë thelluar këtë diferencë.

 Nivelin më të lartë të pensionit mesatar e ka Mali i Zi me 323 euro, ndërsa më të ulëtin e ka Bosnja, me 178 euro.

Edhe pse ekonomia e vendit është futur në një trend rritës me një ritëm më të lartë se rajoni dy vitet e fundit, mbrojtja e shtresave më vulnerabël lë shumë për të dëshiruar. Pensionistët shqiptarë shihet të jenë shumë të keqpaguar në raport me fqinjët tanë.

Në këndvështrimin e integrimit në BE për sa i përket nivelit të jetesës për pensionistët, Shqipëria paraqitet shumë poshtë vendeve të rajonit, teksa ato të BE duken të pakapshme. Pensioni mesatar i një gjermani i kalon të 41 mijë eurot në vit, në Itali, mbi 27 mijë euro, në Norvegji 58 mijë euro, në Poloni 11 mijë euro etj.

Por perspektiva e pensionistëve shqiptarë duket shumë e zbehtë për shkak se, numri i pensionistëve po rritet me shpejtësi, përkundrejt plakjes me ritme të shpejta. Reduktimi i forcës së punës do të vërë në vështirësi arkën e shtetit për të ardhurat e pensioneve dhe rritja e numrit të pensionistëve do të rrisë pagesat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat