Protestuesit e arrestuar, Avokati i Popullit: Në Tiranë janë 13, nuk u është dhënë ushqim

Shqipëria

Protestuesit e arrestuar, Avokati i Popullit: Në Tiranë janë 13, nuk u është dhënë ushqim

Më: 1 prill 2018 Në ora: 22:59
Erinda Ballanca

Institucioni i Avokatit të Popullit ka reaguar për arrestimet e 23 protestuesve nga Kukësi. Erinda Ballanca shprehet se në Tiranë ndodhen 13 persona, ndërsa akuzon se nuk janë trajtuar me ushqim dhe se ka mungesë dokumentacioni shoqërues për ndalimin e tyre. Gjithashtu Avokati i Popullit thekson se në ato pak procesverbale që u janë vënë në dispozicion përfaqësuesve të Avokatit të Popullit, mungonte ora e kryerjes së ndalimit të protestuesve.

“Ekspertët e Avokatit te Popullit, konstatojnë se ndonëse ndaj asnjërit prej të ndaluarve nuk është ushtruar dhunë dhe asnjëri prej këtyre të ndaluarve nuk ka pretenduar të jetë ushtruar dhunë mbi të, situata paraqitet problematike në lidhje me komunikimet formale të shkakut të privimit nga liria të këtyre personave.  Deri në orën 14.00, në komisariatet 1 dhe 2 nuk ishte përmbyllur ende procedura për të bërë të mundur trajtimin e personave me ushqim. E njëjta situatë është konstatuar edhe në Drejtorinë e Policisë ku deri në orën e përfundimit të inspektimit (18:00) ende të ndaluarit nuk ishin trajtuar me ushqim. Avokati i Popullit u ka kërkuar autoriteteve policore që të bëjnë trajtimin ushqimor dhe shëndetësor të të ndaluarve që ndodhen në mjediset e paraburgimit për të shmangur klasifikimin e gjendjes së tyre si trajtim çnjerëzor”, tha Ballanca.

 Avokatja e Popullit Erinda Ballanca ka komunikuar personalisht në rrugë telefonike me drejtorin e përgjithshëm të Policise i cili ka garantuar se problemi edhe nëse ka eksituar mund të ketë qenë vetëm teknik dhe ka garantuar që situata është zgjidhur.

“Elementi tjetër shqetësues nga ana proceduriale në rastin e arrestimeve të qytetarëve nga Kukësi që ndodhen aktualisht në komisariatet e Tiranës, është mungesa e dokumentacionit shoqërues për ndalimin e tyre dhe mos-vënia formalisht në kohën e duhur në dijeni e të ndaluarve për arsyet e ndalimit.

“Nga ana proceduriale veprimet janë kryer me parregullsi dhe vonesa. Në ato pak procesverbale që u janë vënë në dispozicion përfaqësuesve të Avokatit të Popullit, mungonte ora e kryerjes së ndalimit. Në to citohej urdhëri i ndalimit nga Prokurori, por urdhëri nuk është vënë në dispozicion as të perfaqesuesve të Avokatit të Popullit dhe as të të ndaluarve.  Personat që u pyetën nga ekipi i Avokatit të Popullit, u shprehën se as ata dhe as familjarët nuk ishin njohur me asnjë lloj arsyeje për ndalimin në momentin e prangosjes’, deklaroi Ballanca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat