Reforma zgjedhore në countdown, Borchardt: Përfundojeni brenda korrikut

Shqipëria

Reforma zgjedhore në countdown, Borchardt: Përfundojeni brenda korrikut

Më: 20 prill 2018 Në ora: 15:13
Pamje nga takimi

Komisioni i reformës zgjedhore organizoi mbledhjen e parë në formën e një workshopi ku u diskutua për problematikat në fushatën zgjedhore. Ambasadori i OSBE, Bernd Borchardt, në fjalën e tij, kërkoi që reforma zgjedhore të finalizohet brenda mandatit të komisionit që është korriku. Të njëjtin shqetësim për produktivitetin e ulët ngriti dhe deputeti i LSI-sw Luan Rama, ndërsa partitë aleate të opozitës kërkuan të kenë më shumë rol në këtë reformë dhe dy partitë kryesore të mos vendosin me anshmëri.

Në mbledhjen e parë të Komisionit të Reformës Zgjedhore pas shtyrjes së mandatit për në fund të korrikut, Ambasadori i OSBE, Bernd Borchardt, kërkoi nga anëtarët që ta finalizojnë reformën brenda këtij afati.

Sipas Borchardt, ka ardhur koha për rezultate konkrete.

Borchardt: Unë e nxis fort Komisionin të finalizojë reformën zgjedhore brenda afatit të ri. Tani është koha për rezultate konkrete. Bashkë me OSBE/ODIHR i ofrojmë mbështetjen tonë të plotë parlamentit shqiptar në realizimin e reformë.

Pikërisht për produktivitetin e ulët foli edhe anëtari i Komisionit, Luan Rama. Deputeti i LSI tha se kjo është e disata mbledhje që dëgjohen të njëjtat fjalime, por nuk ka produkt dhe kjo vë në rrezik reformën

Rama: Ne si komision nuk kemi filluar nga puna dhe nuk kemi akoma një produkt që lidhet me kodin zgjedhor. Jemi një vit para zgjedhjeve lokale, kur do të fillojmë për të nxjerrë një produkt që të na çojë tek zgjedhje të ndryshme nga ato që i referohemi? Të jemi më seriozë dhe transparent në çdo vendimarrje. Ne jemi komision që duhet të marrim vendim.

Aleati i Partisë Demokratike dhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ngriti shqetësimin e rolit të zbehur që dy partitë kryesore po i japin partive të vogla.

Reagimi i Mediut erdhi kur bashkëkryetarët e Komisionit, Oerd Bylykbashi dhe Bledar Çuçi kërkuan që media të dalë nga salla pasi ata vetë mbajtën fjalimet.

Mediu:  Për herë të parë thonë se berberi i ri e mëson dorën në kokën e fukarait. Duket se pala andej ka një unison të mirë. Duket se problemi është këtej nga mirëkuptimi ynë. Ju thoni do bëni një mbledhje të mbyllur dhe të hapur. Mbledhja e hapur është vetëm për ju dhe Çuçin, çdo takim e keni për median.

Ne të tjerët po gjetëm ndonjë kënd të themi ndonjë fjalë për mendimet dhe gjykimet që kemi për reformën zgjedhore mund të na lejoni. Mendoj se kjo nuk ka sens. Nëse janë të hapura janë të hapura. Nëse janë të mbyllura, janë  të mbyllura dhe për ju. Komisioni në mënyrë urgjente duhet të vendosë rregulloren e funksionimit.

Dy bashkëkryetarët u përgjigjën se tashmë ka ardhur koha që Komisioni të diskutojë tekninalitetet dhe prandaj kërkuan që media të mos jetë e pranishme, pasi në të kundërt do të inkurajoheshin fjalimet politike

Çuçi: Kur vjen puna për të diskutuar çështje thellësisht teknike ne diskutojmë mes nesh dhe ekspertëve pa prezencën e medias sepse ato kamera përballë ju shtyjnë të kalojmë në qëndrime politike pa u futur në thelb.

Bylykbashi: Sot nuk ka më diskutime të përgjithshme, sot diskutohet për çështjet e fushatës zgjedhore.

Në workshopin e organizuar për herë të parë, Komisioni diskutoi rekomandimet e ODIHR në lidhje me fushatën zgjedhore.

Për këtë çështje, Ambasadori Borchardt tha se OSBE po ndjek me vëmendje rastet e shkeljeve zgjedhore të denoncuara në prokurori dhe pret vendimet e gjykatës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat