Shfrytëzimi pa kriter i lumit Mat nga disa dhjetra firma inertesh për të marrë inerte, ka bërë që ditën e sotme të mblidhen bashkë, prefektura e Lezhës, Inspektoriati i Ujit dhe kompanitë, të cilat operojnë në basenin e këti lumi.
Lejet e shfrytëzimit për inertet në lumin Mat janë dhënë në kundërshtim me ligjin, duke krijuar një masakër në basenin e këtij lumi. Në lidhje me këtë problematikë ka reaguar dhe prefekti i Lezhës, Gjergj Prendi, duke u shprehur:
Lejet e dhëna për rehabilitim të shtratit janë keqpërdorur. Në lum janë marrë vetëm inerte, pa asnjë studim, për këtë janë pezulluar të gjitha lejet e dhëna deri sa të bëhet studimi, se ku do të punohet dhe se si janë dhënë lejet e shfrytëzimit.
Ndërsa Drejtoresha e Përgjithshme e Inspektoriatit të Ujit, Gerta Lubonja është shprehur:
Lejet që janë dhënë me qëllim rehabilitimin e lumit, janë shfrytëzuar vetëm për të marrë inerte pa asnjë lloj studimi.
Gjatë këtij takimi është vendosur ndalimi i shrytëzimit të lumit Mat deri të bëhet një studim dhe plan mjedisor, ndërsa po verifikohen të gjitha lejet e dhëna.