Ministria e Shëndetësisë fillon dialogun me farmacistët

Shqipëria

Ministria e Shëndetësisë fillon dialogun me farmacistët

Më: 10 maj 2018 Në ora: 20:34
Ilustrim

Ministria e Shëndetësisë do të diskutojë me farmacistët për gjetjen e një rruge tjetër për ankesat që kanë këta të fundit në lidhje me çmimet e barnave të vendosur në listën e rimbursueshme.

Dy palët kanë rënë dakort këtë të enjte pas takimit që është zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë mes ministres Ogerta Manastirliu dhe përfaqësuesve të Urdhrit të Farmacistëve.

Më herët, Urdhri i Farmacistëve kishte paralajmëruar një grevë dyorëshe për ditën e premte, por që nuk dihet nëse do ta mbahet apo jo pas zhvillimeve të fundit.

Farmacistët thonë se futja e beftë e listës së barnave të rimbursueshëm u ka krijuar atyre një dëm financiar, pasi disa barna që i kanë blerë më shtrenjtë, tani janë të detyruar t’i shesin me gati një të dytën e çmimit dhe askush nuk ua rimburson.

“Si shembull, Novaldex unë e kam shitur deri tani me çmim të miratuar nga MSh me 620 lekë, ndërkohë që me futjen e beftë të listes duhet ta shes 330 lekë. Është gjithnmonë pika fundore, pra ne farmacitë që paguajmë dëmin”, thotë Erisa Petro, farmaciste.

Kjo ndodh sa herë hyn në fuqi lista e re e barnave me rimbursim, por nëse do të ishin njoftuar më parë atëherë dëmi financiar, sipas tyre do të ishte më i vogël.

“Do të ishte më i zbutur. Normalisht do të kishte diferenca, por do të ishte më i zbutur, më i kontrolluar”, shton ajo.

Farmacitë kundërshtojnë edhe kontratën e re, që sipas tyre janë detyruar ta nënshkruajnë, ndërkohë që u janë dyfishuar gjobat.

“Për vlerën e plusit, në shitjet me lekë në dorë në vlerë mbi 500 mijë lekë të reja, duhet të paguash si gjobë diku tek 20 për qind të vlerës, ndërkohë që për vlerën e minusit, është dyfishuar gjoba”, tregon farmacistja, Erisa Petro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat