Përmbyllja e vitit 2023, KOK: Kritikat po na bëjnë të fortë, lëvdatat po na japin motiv

Sporti

Përmbyllja e vitit 2023, KOK: Kritikat po na bëjnë të fortë, lëvdatat po na japin motiv

Më: 21 dhjetor 2023 Në ora: 18:07
Ismet Krasniqi

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka mbajtur sot darkën me gazetarë dhe media ku u shpalosën edhe sukseset dhe të arriturat e këtij institucioni gjatë këtij viti, respektivisht vitit 2023.

Padyshim që njëri prej sukseseve më të spikatura është edhe kandidatura e Kosovës për të qenë nikoqire e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2023.

Kosova do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030, sukses ky për të cilin meritat i kanë të gjithë. Kështu tha presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi në një fjalim rasti, ndërsa tha se vendin tonë e pret punë shumë e madhe, për ta përmbyllë këtë proces në mënyrën më të mirë të mundshme.

Krasniqi: Fituam bindshëm, Kosova edhe zyrtarisht është nikoqire e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030

“Një hap shumë i madh, një hap historik i Kosovës. Këtu është folur e përfolur për merita, por besoj që meritat i kanë të gjithë. Nuk mundet një njeri me bo këtë punë, por është një bashkëpunim shumë i ngushtë, një sinergji e fortë mes Komitetit Olimpik të Kosovës, Qeverisë së Kosovës, komunave të Kosovës, e sidomos Komunës së Prishtinës, është bërë një bashkëpunim tepër i fortë, dhe padyshim që pastaj fituam. Nuk dyshohet edhe nuk diskutohet lobimi jonë edhe i Komitetit Olimpik të Kosovës për shumë kohë, ndoshta themi gati me vite, se ka qenë shumë vështirë, kemi pas edhe konkurrent të ndryshëm të cilët kemi lobu që mos të na pengojnë në këtë rrugëtim tonin, sepse kuptohet që Kosova është një shtet i ri dhe më së shumti ka nevojë të promovohet përmes sportit...(05:31) I gëzohem faktit që ia arritëm qëllimit, ia arritëm qëllimit dhe fituam, edhe fituam bindshëm, sot Kosova është edhe zyrtarisht nikoqire e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Padyshim që na pret një punë shumë e madhe, neve, juve dhe të gjithëve, që ta qojmë këtë proces deri në fund, në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Krasniqi.

Për fund, presidenti Krasniqi falënderoi edhe gazetarët e mediat për punën e tyre, pa të cilët ai tha se rezultatet e suksesit nuk do të kishin asnjë efekt.

Krasniqi: Kritikat po na bëjnë të fortë, lëvdatat po na japin motiv

“Vërtetë e kam kënaqësinë sot që jam në mesin e juaj, me gazetarët, me meritorët ma të madh të sportit që kanë dhënë për këtë vit, por edhe përpara, por do të jepni edhe në të ardhmen. Unë e kam cek shumë herë që krejt rezultatet tona...nuk kishin me pas kurrfarë efekti nëse ju nuk jeni ata të cilët i promovoni nëpër rrjete sociale, nëpër televizione, nëpër gazetat e juaja, në mënyrën ma të mirë të mundshme, dhe kjo po na bënë neve shumë më të mëdhenj, dhe populli po formohet me gjitha aktivitetet që po i bëjmë. Ndonjëherë po kemi edhe kritika, por ato janë shumë të mira sepse po na bëjnë edhe më të fortë dhe po kujdesemi për të punuar edhe më mirë, por po kemi edhe lëvdata që po na japin shumë motiv për të punuar edhe më shumë. Kështu që ne jemi së bashku dhe së bashku do të ecim edhe nëpër aktivitetet e tjera të radhës”, tha Krasniqi.

Gjatë vitit 2024 në aspektin sportiv, Kosova do të marr pjesë në Lojërat Olimpike Paris 2024, ndërsa nga ana tjetër kryeqyteti i vendit tonë është shpallur “Qytet Evropian i Sportit”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat