KOK analizon një nga një sportistët tanë

Sporti

KOK analizon një nga një sportistët tanë

Më: 18 tetor 2018 Në ora: 11:21
Medalja e bronztë

Ekipi Olimpik i Kosovës u përfaqësua me pesë sportistë në Lojërat Olimpike për të rinj, Buenos Aires 2018, të cilat ishin të parat për Kosovën. Të pesë garuesit tanë kanë përfunduar garat, ndërsa Ekipi Olimpik i Kosovës kthehet me një medalje të bronztë, falë xhudistes, Erza Muminoviqi. LOR Buenos Aires 2018 janë hapur më 6 tetor, derisa do të mbyllen sonte me ceremoninë mbyllëse, që zhvillohet në Fshatin Olimpik në Buenos Aires.

Erza Muminoviq (xhudo): Xhudistja nga Peja, fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri në 44 kilogramë. 16-vjeçarja ishte e vetmja që kishte fituar normën Olimpike, ndërsa këtë e kishte arritur pas bërjes kampione e Evropës për kadete në fund të muajit qershor në Sarajevë të Bosnjës e Hercegovinës. Ne Buenos Aires 2018, ajo e nisi me humbje misionin e saj, duke u mposhtur nga Devi Tangjam e Indisë, në çerekfinale. Erza me fitore e nisi repesazhin për medaljen e bronztë, duke mundur Aleksa Georgieva (Bullgari).

Në raundin e dytë kaloi, Vusala Karimova (Azerbajxhan), ndërsa në luftën që i siguroi medaljen e bronztë, mposhti me ippon Anastasia Balaban (Ukrainë). 7 tetori hyri në historinë e sportit të Kosovës, për medaljen e parë të fituar në Lojërat Olimpike për të rinj. Erza garoi më 10 tetor edhe në ekipore, për ekipin Rio de Janeiro, ekipe këto të formuara nga organizatorët në bazë të qyteteve ku janë organizuar Lojërat Olimpike. Xhudistja jonë me ekipin e saj fitoi medaljen e bronztë. Melisa Zhdrella (not): Notarja nga Prishtina garoi në disiplinat 50 metra bretkocë dhe 50 metra stil i lirë. 18-vjeçarja në 50m. bretkocë theu rekordin e Kosovës, me kohë 35.44 sekonda. Në renditjen e përgjithshme ajo doli e 35-ta nga 43 garuese.  

Notarja jonë garoi edhe në 50 metra stil i lirë, ku pati kohën 29.41 sekonda. Në baterinë e saj, Melisa doli e gjashta, kurse në renditjen e përgjithshme, e 38-ta nga 53 garuese. Bleron Fetaovski (peshëngritje): Garoi në kategorinë deri 77 kilogramë të disiplinave shkëputje dhe shtytje. Në shkëputje theu rekordin e Kosovës, duke ngritur 87 kilogramë, ndërsa në shtytje ngriti 103 kilogramë. Në total ai ngriti 190 kilogramë, aq sa është rekordi i tij. Në renditjen e përgjithshme, Bleroni doli i 9-ti nga po aq garues. Erdonis Maliqi (boks): Dha maksimumin në meçin e parë me kampionin e Afrikës, marokenin, Mohamed Boulaouaja. Ishte më i mirë në të tria raundet, por në fund gjyqtarët i dhanë fitoren kundërshtarit me rezultat 3:2.

Erdonisi dëshmoi se ka të ardhme dhe shkaku i lëndimit të pësuar, nuk garoi në ditët tjera. Në kategorinë e tij, deri në 64 kilogramë, morën pjesë gjashtë boksierë. Muhamet Ramadani (atletikë): Theu rekordin e Kosovës, duke hedhur gjylen 5 kilogramëshe në largësi 18.53 metra. Me këtë rezultat nga tentimet e fazës së parë (12 tetor), Muhameti u rendit në vendin e 9-të nga 15 garues, edhe pse kishte ardhur në Buenos Aires vetëm me ftesë. Shpresat ishin të mëdha se ai mund të përfundojë në mesin e pesë ose gjashtë më të mirëve. Mirëpo, në fazën e dytë, të zhvilluar pas tri ditësh, Muhameti nuk arriti ta përsërit të njëjtin sukses. Rezultatin më të mirë e kishte 16.48 metra, mbi dy metra më pak se në fazën e parë. Nga të dyja rezultatet ai mblodhi 35.01 pikë, që e renditen në vendin 12 nga 15 garues.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat