Mustafa: Ka pasur presione dhe kërcënime te deputetët për demarkacionin

Aktuale

Mustafa: Ka pasur presione dhe kërcënime te deputetët për demarkacionin

Më: 8 shtator 2016 Në ora: 10:19
Isa Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka bërë të ditur se ka tërhequr nga rendi i ditës ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, pasi situata nuk ka qenë e volitshme për procedimin e këtij projektligji.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kreu i Ekzekutivit ka thënë se ka pasur presione dhe kërcënime individuale te deputetët.

Mustafa:U kërcënuan deputetët

“Gjithë situatat atë ditë nuk ka qenë e volitshme, që ne të procedojmë aprovimin e  atij Ligji edhe për shkak të rrethanave. Por dhe  për shkak se ka pasur mjaftë shumë presion, kërcënime individuale tek deputetët dhe kam vlerësuar, se duhet në një situatë më normale të procedojmë me këtë ligj. Dëshiroj të them se unë nuk iu kam adresuar asnjë subjekti politik në mënyrë të veçantë për kushtëzime dhe kërkesa të veçanta. Por kam thënë se kërkesa të tilla, nuk do t’i pranojmë nga askush nga asnjë grup parlamentar as subjekt as individ dhe një gjë të tillë do ta bëjmë dhe në të ardhmen”, tha Mustafa.

Mustafa ka folur edhe për takimin që ka pasur dje me kryetarët e komunave Pejë, Deçan, Istog e Junik, nga të cilët ka kërkuar informim, në qoftë se kanë humbur tokë. Ai ka kërkuar edhe nga Agjensioni i Pyjeve të Kosovës dhe KEK-u, që të qartësojnë informatat, në mënyrë që të informohen qytetarët.

Ndërsa tha se sot do të ketë takime me AKP-në dhe Policinë Kufitare që t’i japin informata se në cilën pikë  e kanë menaxhuar kufirin. E të gjitha këto takime, sipas tij po bëhen që të  krijohet një klimë e argumentimit të plotë, të mos lihet asnjë dyshim, të ballafaqohen faktet dhe atëherë mbetet çështje e vullnetit politik. Ndërsa tha se çështja e liberalizimit të vizave, tanimë mbetet tek ne.

Mustafa: Çështja e vizave, tani mbetet tek ne

“Çështja tani mbetet tek ne. Ne nuk mund ta fajësojmë më askënd lidhur me liberalizimin e vizave. Por mbetët që vendimin ta marrim ne përmes  votimit të marrëveshjes për demarkacion në Kuvendin e  Republikës së Kosovës. Është një kriter që vu para nesh dhe është tani përgjegjësi e jona. Do të punojmë dhe me opozitën. Do të takohemi me të gjithë ata që kanë vullnet të takohemi. Do ti shtrojmë do ti diskutojmë çështjet, në mënyrë që të arrijmë një pajtueshmëri”, tha kryeministri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat