Kuvendi mban seancat plenare të enjten dhe të premten, kthehet 'Srpska'

Aktuale

Kuvendi mban seancat plenare të enjten dhe të premten, kthehet 'Srpska'

Më: 27 mars 2017 Në ora: 12:29
Mbledhja e Kryesisë

(E plotësuar) - Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti ka bërë të ditur se të enjten dhe të premten do të ketë seancë plenare.

Haliti tha se nuk ka probleme mes partnerëve të koalicionit, derisa theksoi se nuk e dinë nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme.

Nënkryetari i Kuvendit i ka quajtur papërgjegjësi të deputetëve mospjesëmarrjen e tyre në seanca dhe mungesës në votime.

Konjufca: Kuvendi nuk po funksionon, të shkohet në zgjedhje

Shefi i grupit parlamentar të VV-s Glauk Konjufca, tha se Kuvendi nuk është duke funksionuar as për së afërmi sipas kompetencave që ka.

Ai tha se koalicioni qeverisës nuk po funksionon dhe ata po merren me ligje të pavotuara.

Duke pas parasysh këtë mos funksionim, ai tha se përgjegjësia duhet të kërkohet nga koalicioni dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Ai tha se kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, derisa duhej të ishte në mbledhje të kryesisë, ai është nëpër fshatrat e Kosovës duke bërë fushatë sikur të ishte kryeministër.

Konjufca tha se presidenti Hashim Thaçi, ka zbutur qëndrimet e tij lidhur me formimin e ushtrisë, gjë që sipas tij tregon një tërheqje të presidentit nga kjo çështje.    

Shefi i GP të VV-së,  është shprehur i bindur se në çfarëdo forme të bërjes së ushtrisë ndërkombëtarët nuk do të ia kthenin shpinën Kosovës.

Sipas Konjufcës, Kosova nuk duhet të mbetet peng i Vuçiqit për krijimin e ushtrisë.

Shefi i deputetëve të Listës Serbe në mbledhjen e Kryesisë

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit dhe shefat e Grupeve Parlamentare janë mbledhur për të caktuar ditën se kur do të mbahet seanca e ardhshme.

Në mbledhje përveç anëtarëve të Kryesisë që vijnë nga partitë shqiptare dhe minoriteteve tjera po marrin pjesë edhe deputetët e Listës Serbe, Sllobodan Petroviq dhe shefi i deputetëve të kësaj Liste Sllavko Simiq.

Deputetët e Listës kthehen në Kuvend pas një bojkoti gati gjashtë mujor që u kanë bërë institucioneve të Kosovës.

Dje Simiq në një deklaratë për mediat serbe ka thënë se po kthehen në Kuvend në mënyrë që ta pengojnë formimin e ushtrisë së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat