Policia nuk arriti ta gjejë, Albin Kurti tregon në Facebook se ku ishte mbrëmë

Aktuale

Policia nuk arriti ta gjejë, Albin Kurti tregon në Facebook se ku ishte mbrëmë

Më: 10 tetor 2017 Në ora: 15:29
Albin Kurti

Policia e Kosovës sot shkoi në shtëpi për ta kërkuar, pasi nuk u paraqit në Gjykatë.

Tha se nuk e gjejnë dot.

Por ishte vetë Albin Kurti që i tregoi policisë para pak çastesh se ku ndodhet aktualisht.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, deputeti i Vetëvendosjes, i cili do të duhej të ishte sot në gjykatë, tregoi se ishte në Shqipëri, për ta parë lojën që u zhvillua mbrëmë.

Ky është postimi i plotë i Kurtit:

Dje më ftuan disa aktiviste e aktivistë që të shkonim në Shkodër për lojën e kombëtares.

Nuancave e melodive të panumërta të Shkodrës së kulturave të trashëguara e atyre bashkëkohore dje iu shtua entuziazmi intensiv i tifozëve të kombëtares, me ngjyrat kombëtare e me brohorimat ritmike.

Mes tifozëve, larg tribunave VIP u takuam me shumë miq, nga Shqipëria, Kosova e troje të tjera.

Për 90 minuta përjetuam një spektakël cilësor, një lojë të fortë e të bukur mes Shqipërisë e Italisë.

Tifozët më treguan se kemi dalë të tretët në një grup me gjashtë skuadra, dhe se para nesh kanë dalë vetëm Spanja e Italia, gjigandë të futbollit.

Kombëtarja jonë është rritur në nivel, sajë mbështetjes së zjarrtë të tifozëve, por edhe sajë afrimit të lojtarëve nga Kosova e Maqedonia që iu janë bashkangjitur atyre nga Republika e Shqipërisë.

Por kjo nuk mjafton. Shumica e lojtarëve tanë të kombëtares, rriten në klube të huaja. Na duhet një strategji për afrimin dhe integrimin e sferës së sportit të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Po ashtu nevojitet zhvillim i infrastrukturës vendore, fusha e terrene sportive, më shumë investime për sportin. Kjo është detyrë e pushtetit vendor dhe e komunave, ndaj të gjithë tifozët e futbollit i ftoj që në zgjedhjet e 22 tetorit, të mos votojnë si tifozë, por me mendje për ofertën politike më racionale, dhe me zemër për më të mirën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat