(E plotësuar) - Në kuadër të vizitës që kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev i ka bërë Kosovës gjatë ditës së sotme së bashku më kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj kanë vizituar kompaninë "Vitaminka Trade" ku të dy palët u dakorduan për thellim të bashkëpunimi në aspektin ekonomik.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se bashkëpunime e tilla si kjo e kompanisë “Vitaminka Trade” vërtetojnë që bashkëpunimi me Maqedoninë është përtej atij ekonomik.
Ai tutje porositi afaristët vendor që të thellojnë bashkëpunimin me afaristët maqedonas me qëllim të rritjes së shkëmbimeve të ndërsjella ekonomike.
Haradinaj: Porosia jonë ta thellojmë bashkëpunimin ekonomik
"Po vërtetojmë që bashkëpunimi është shumë dimensional pra krahas bashkëpunimit politik në planin rajonal e global që e ndajmë të njëjtin fat si dy vendet integrimet euroatlantike kemi interes të madh bashkëpunimi ekonomik dhe bashkëpunimi ekonomik jeni ju pra jeni afaristët që bashkëpunoni me afaristët e Maqedonisë dhe kjo është një porosi prej meje dhe besoj e përbashkët edhe me kryeministrit Zaev që ta thellojmë këtë bashkëpunim pra t’i rrisim shkëmbimet e ndërsjella ekonomike", tha Haradinaj/
Kreu i ekzekutivit tha se me aktivizimin e minierave të thëngjillit në Kosovë do të eksportojnë thëngjill në Maqedoni pasi që ajo ka interesim, kështu duke e rregulluar bilancin tregtar i cili është i ulët për Kosovën.
Ndërsa, drejtori gjeneral i kompanisë “Vitaminka Trade”, Rasim Merlaku tha se bashkëpunimi i tyre me kompaninë “Vitaminka” në Maqedoni do të thellohet më tej përmes projektit të përbashkët që kanë në vitin 2018.
Merlaku: Bashkëpunimi jonë do të thellohet
"Bashkëpunimi jonë do të thellohet edhe më tutje në vitin 2018 ku kemi një projekt të përbashkët për promovimin e produkteve ushqimore edhe në Kosovë, gjithashtu këtë vit jam i lumtur që do të përfundoj edhe autostrada Prishtinë -Shkup”, tha Merlaku.
Ai po ashtu ka kërkuar nga drejtuesit e institucioneve që me qëllim të vazhdimit të bashkëpunimit të ndërtohet autostrada deri në Shkup.
Në anën tjetër kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev tha se është i kënaqur që kompanitë e Maqedonisë po gjejnë hapësirë që të operojnë në Kosovë.
Ndryshe, gjatë vizitës së tij në Kosovë kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev është takuar edhe me kryetarin e Parlamentit, Kadri Veseli ndërsa, gjatë pasdites pritet të takohet edhe me presidentin e vendit, Hashim Thaçi.